Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se Qeveria në Berlin po planifikon një pako të re me ndihmë ushtarake për Kievin gjatë këtij viti, teksa Rusia po intensifikon sulmet e saj ndaj Ukrainës.
Gjermania do të miratojë edhe 1.9 miliard euro mbështetje ushtarake për Ukrainën, tha Pistorius gjatë një konference për media me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kiev më 12 qershor.
Paketa e re e ndihmës “nuk është finalizuar ende, por punohet në të”, tha ai, duke shtuar se fondet do të jenë të qasshme “në javët në vijim sapo të merret vendimi nga Parlamenti”.
Paratë shtesë do të bëjnë që vlera e përgjithshme e mbështetjes që Gjermania do t’i japë Ukrainës gjatë këtij viti të arrijë në rreth 9 miliardë euro, tha Pistorius. Berlini veçse i ka dhënë afër 7 miliardë euro ndihmë Ukrainës.
Rritja e financimit do të përdoret për një plan të mbështetur nga Gjermania që synon që Ukraina të prodhojë vetë armë me rreze të gjatë veprimi, tha ministri.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha muajin e kaluar se të dy vendet do të zhvillojnë së bashku “sisteme armësh me rreze të gjatë veprimi”.
Qeveria në Berlin ka qenë prej kohësh nën presion për të furnizuar armë që forcat ukrainase mund t’i përdorin për të goditur objektiva thellë brenda territorit rus, siç kanë bërë aleatët e tjerë perëndimorë.
Në veçanti, Kievi ka qenë i interesuar të sigurojë raketat gjermane të tipit Taurus, të cilat kanë një rreze veprimi prej mbi 500 kilometrash.
Qeveria paraprake gjermane e udhëhequr nga Olaf Scholz, kishte refuzuar të dërgonte raketa Taurus në Ukrainë, nga frika se mund të përshkallëzohen tensionet me Rusinë.
Kancelari i ri, Friedrich Merz, më herët kishte shprehur mbështetje për dërgimin e raketave Taurus, por nuk ka bërë ndonjë ndryshim në qëndrimin e Qeverisë që nga marrja e detyrës muajin e kaluar.
Së fundi, Merz ka refuzuar të komentojë mbi këtë çështje, duke u thirrur në një politikë të “paqartësisë strategjike”.
I pyetur të enjten nëse Gjermania po shqyrton aktualisht mundësinë e dërgimit të raketave Taurus në Ukrainë, ministri Pistorius tha: “Përgjigjja ime është jo”.