Bota

Gjermanët padisin qeverinë për ndotjen e ajrit



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 14:04 - 26/09/22 |
Opi Nion

Një grup banorësh në Gjermani po padisin qeverinë e tyre për ndotjen e ajrit që sipas tyre është në nivele “të rrezikshme”.

Ata pretendojnë se po shkelet e drejta e tyre për të marrë ajër të pastër dhe të shëndetshëm dhe se qeveria po dështon në mbrojtjen e shëndetit të tyre.

BBC shkruan se, ashtu si shumë vende, nivelet e ndotjes së ajrit në Gjermani shpesh tejkalojnë kufijtë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në nivel global, ndotja e ajrit shoqërohet me shtatë milionë vdekje të parakohshme në vit.

Është hera e parë që individë në Gjermani kanë ndërmarrë një veprim të tillë duke përmendur legjislacionin për të drejtat e njeriut.

Çështja vjen pasi një nga avokatët kryesorë të BE-së, avokati i përgjithshëm në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, tha në maj se qytetarët mund të ndërmarrin veprime të tilla në përpjekje për të fituar kompensim.

Grupi i shtatë pretenduesve, i cili përfshin prindër që veprojnë në emër të fëmijëve, thonë se shëndeti i tyre është në rrezik dhe se politikanët po dështojnë t’i mbrojnë ata. Një numër prej tyre kanë astmë.

Ata jetojnë në Berlin, Mynih, Frankfurt dhe Dusseldorf, katër nga shtatë qytetet më të mëdha gjermane dhe pretendojnë se po thithin ajër me përqendrime ndotjeje katër deri në pesë herë më të larta se kufijtë e pranueshëm të OBSH-së.

Nivelet e ndotjes së ajrit në Gjermani janë në përputhje me vetë ligjin e vendit, por pretenduesit thonë se ligji duhet të ndryshojë për të pasqyruar konsensusin shkencor në rritje.

Agjencia Gjermane e Mjedisit tha se shtetet federale janë përgjegjëse për vlerësimin e cilësisë së ajrit dhe marrin masa nëse shkelen kufijtë.

“Vlerat udhëzuese të OBSH-së janë rekomandime që nuk kanë karakter ligjërisht detyrues të vlerave kufitare të Direktivës së BE-së për Cilësinë e Ajrit,” tha një zëdhënës.

Hulumtimet e publikuara këtë muaj tregojnë se si thithja e tymrave të makinave mund të çojë në kancer të mushkërive.

Rreth një në 10 raste të sëmundjes i atribuohet ndotjes së ajrit.

Gjykata gjermane mund të detyrojë qeverinë të ndërmarrë veprime për ta zvogëluar atë.

Rasti mbështetet nga organizatat mjedisore ClientEarth dhe Deutsche Umwelthilfe.

“Mbrojtja nga ndotja e ajrit është një çështje e të drejtave të njeriut. Shumë njerëz kanë filluar të kuptojnë se sa mund të përmirësohet jeta e tyre dhe jeta e fëmijëve të tyre nëse qeveritë fillojnë të zbatojnë kontrolle më të mira,” tha Irmina Kotiuk, avokate për të drejtat e njeriut me ClientEarth.

Gjermania mund të veprojë si lider në përmirësimin e ndotjes së ajrit, duke nxitur vendet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë, sugjeron ajo.

Kërkuesit po kërkojnë gjithashtu që qeveria gjermane të edukojë publikun për nivelet e rrezikshme të ndotjes së ajrit bazuar në këshillat e OBSH-së.

Çështja është paraqitur në gjykatën kushtetuese të Gjermanisë që mbron të drejtat themelore të njeriut të qytetarëve. Kërkuesit nuk kërkojnë kompensim financiar, por që qeveria të marrë masa. Një vendim në favor të tyre do të zbatohej në mbarë vendin./Opinion.al

 

Pas