Policia ka gjetur një fuoristradë të djegur që dyshohet se u përket autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit Armando (Tonin) Gjini. Makina është gjetur në Gziq të Mirditës. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor duke bërë mbledhjen e provave.
Hetimet e uniformave blu do të përcaktojnë nëse ky mjet është përdorur në vrasjen e Armando Gjinit mesditën e sotme në qendër të qytetit të Rrëshenit. 48-vjeçari u qëllua brenda makinës së tij nga persona të paidentifikuar, të cilët u arratisën me shpejtësi pas krimit.
Armando Gjini ka qenë në makinë së bashku me dy fëmijët e tij kur u ekzekutua për vdekje. Tre muaj më parë, ai i kishte shpëtuar një atentati me tritol në makinë.
Në vitin 2018, Armando (Tonin) Gjini u arrestua si pjesë e bandës së Met Kananit që trafikonte hashash në disa vende të BE-së, por pas 25 ditësh qëndrimi në qeli, u lirua në rrethana të paqarta./ Opinion.al