Një 88-vjeçare është gjetur e pajetë mëngjesin e sotëm në Cukë të Sarandës. Mësohet se e moshuara është identifikuar si Stamato Milo.
Dyshohet se 88-vjeçarja mund të ketë ndërruar jetë pasditen e së martës pasi trupi i saj ishte i ngrirë dhe ka qëndruar natën jashtë.
E moshuara është gjetur sot nga infermierja e fshatit në bahçen e shtëpisë. 88 vjeçarja, nënë e pesë fëmijëve jetonte e vetme në shtëpinë e saj pasi të gjithë fëmijët i ka në emigracion në Greqi. Menjëherë është njoftuar policia e cila shkoi në vendngjarje.
Pas këqyrjes së trupit u pa se nuk kishte shenja dhune dhe se vdekja mund të ketë qenë natyrale. Trupi i 88 vjeçares u transportua në morgun e spitalit për të kryer ekspertizën mjeko -ligjore dhe për të përcaktuar shkakun konkret të vdekjes.