Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është përjashtuar 15 ditë nga punimet e Kuvendit. Vendimi për përjashtimin e kreut të grupit parlamentar demokrat u mor nga Sekretariati i Etikës.
Gazment Bardhit në seancën e kaluar iu hoq e drejta e fjalës nga ana e kryeparlamentarit, Niko Peleshi.
Bardhi dhe Peleshi u përplasën për shkak të procedurës në parlament dhe për pretendimet e opozitës për njëanshmëri të kryeparlamentarit, teksa në foltoren e parlamentit po raportonte Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Bardhi kërkoi që të ishin vetë deputetët që të parashtronin në seancë pyetjet për Komisionerin, por Peleshi refuzoi duke iu përmbajtur vetëm pyetjeve me shkrim të dorëzuara më herët nga deputetët.
Kjo përplasje, bëri që Kryetari i Parlamentit të vendoste përjashtimin e Bardhit nga seanca, por edhe pas kësaj mase kryetari i Grupit Parlamentar i PD nuk u largua nga salla.
I ndodhur në këto kushte kryeparlamentar Peleshi nuk vijoi me diskutimet për rendin e ditës, duke e mbyllur përfundimsht seancën plenare të së enjtes.