Gazetarja dhe fotoreporterja kanadeze Valerie Zink ka njoftuar dorëheqjen e saj nga agjencia e lajmeve Reuters pas tetë vitesh bashkëpunimi si korrespondente e jashtme, duke deklaruar se nuk mund të vazhdojë të punojë për një organizatë që, sipas saj, “justifikon dhe mundëson vrasjen sistematike të gazetarëve nga Izraeli në Gaza”.
Zink, punimet e së cilës janë botuar nga The New York Times, Al Jazeera dhe media të tjera në Amerikën e Veriut, Europë dhe Azi, tha se mënyra si Reuters ka raportuar për luftën në Gaza ka kontribuar në klimën e rrezikshme në të cilën, sipas saj, janë vrarë 246 gazetarë që nga tetori 2023.
Ajo solli si shembull rastin e gazetarit fitues të çmimit Pulitzer, Anas al-Sharif, i cili u vra bashkë me ekipin e tij në Gaza City më 10 gusht.
“Reuters zgjodhi të publikojë pretendimin plotësisht të pabazuar të Izraelit se Al-Sharif ishte një operativ i Hamasit, një nga pafundësisht shumë gënjeshtra që media si Reuters i kanë përhapur dhe i kanë dhënë legjitimitet,” shkroi Zink në profilin e saj në Facebook.
Zink gjithashtu dënoi reagimin e Reuters pas vrasjes së punonjësve të vetë. Të hënën, kameramani i Reuters, Hussam al-Masri, ishte në mesin e 20 personave të vrarë nga një sulm izraelit në spitalin Nasser në Khan Younis.
Zink e përshkroi këtë si një sulm “me dy goditje”, fillimisht ndaj një objekti civil dhe më pas ndaj mjekëve, punonjësve të shpëtimit dhe gazetarëve që kishin shkuar në ndihmë.
“Mediat perëndimore janë bashkëpërgjegjëse për krijimin e kushteve që lejojnë që kjo të ndodhë”, tha ajo, duke cituar gazetarin Jeremy Scahill: “Çdo media kryesore, nga New York Times te Reuters, ka funksionuar si një rrip transmetues i propagandës izraelite”.
Zink theksoi se përmes përhapjes së deklaratave të ushtrisë izraelite pa verifikim, mediat perëndimore kanë bërë të mundur “vrasjen e më shumë gazetarëve në dy vjet në një rrip të vogël toke se sa në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, Kore, Vietnam, Afganistan, Jugosllavi dhe Ukrainë, të marra së bashku.”
Ajo akuzoi Reuters se e kishte braktisur Anas al-Sharif edhe pasi ai i kishte sjellë agjencisë një çmim Pulitzer.