Nga Aurenc Bebja
Gazeta zvicerane “La Liberté” ka botuar, të martën e 12 shkurtit 1963, në ballinë dhe faqen n°3, intervistën ekskluzive asokohe në Bejrut (Liban) me Leka Zogun dhe Hysen Selmanin.
Letër nga Bejruti
Mbreti i Shqipërisë, Leka I, na flet për ambiciet, projektet dhe gëzimet e tij
Nga Raymond Loir

Është një i ri shtatlartë, mbi dy metra, bjond, me flokë të butë e të mëndafshtë, me një buzëqeshje serioze dhe të qetë, me sy plot ëmbëlsi pas syzeve të trasha të miopit. Madhëria e Tij, Leka I, nuk ka mbushur ende 23 vjeç. Falë mikut tonë, z. Lambert, drejtor i përgjithshëm i hotelit Phœnicia, patëm privilegjin të merrnim një intervistë ekskluzive botërore me të birin e Zogut I të Shqipërisë.
Ai na pret në apartamentet që i janë vënë në dispozicion në Phœnicia, në prani të adjutantit të tij, i cili kishte qenë edhe adjutant i të atit, kolonel Hysen Selmani. Mbreti na thotë : “Koloneli ka qenë pranë babait tim gjatë luftës që ai zhvilloi për të mbrojtur vendin tonë kundër trupave të Musolinit.” Ndërsa koloneli Selmani na rrëfen: “Kur e mora në krahë Madhërinë e Tij, ai ishte vetëm një ditësh. Ishte e Premtja e Madhe (Shenjtë). Kisha ndihmuar Madhërinë e Saj, mbretëreshën Geraldinë, të largohej me foshnjën e porsalindur.”
Ishte viti 1939…
Sot Leka I i ka pasuar të atin. Ai na shpjegon : “Kushtetuta shqiptare më ka bërë sovran me vdekjen e babait tim, dhe jo pretendues të fronit.”
Leka I ka vetëm disa kushërinj të largët; ai është i vetmi që shpreson të rikthehet një ditë në fronin e Shqipërisë. Ndërkohë, ai udhëton shumë. Mbretëresha nënë Geraldinë ndodhet në Paris, te miq. Hallat e tij (bukuria e jashtëzakonshme e motrave të Zogut të Shqipërisë nuk është harruar) jetojnë në Francë, në Rivierën franceze. Leka I e ka rezidencën në Madrid. “Në Spanjë, – na thotë mbreti i ri, – është vendi ku kthehem gjithmonë.”
Ky është qëndrimi i dytë i Leka I në Liban. Mbreti i ri kishte ardhur më parë për të kaluar një verë, së bashku me të ëmën, në Broumana, nën pishat, në një nga mjediset më poetike të Libanit. Ai na shpreh gjithë gëzimin e tij që po ritakon Libanin mikpritës, të cilin e ka bërë selinë e tij gjatë udhëtimit në Lindjen e Afërt. “Së fundmi kam takuar mbretin Husein. Gjyshi i tij kishte qenë mik i babait tim. Jam duke vizituar të gjithë ata që kanë qenë miq. Kam ndërmend të shkoj që sonte në Arabinë Saudite, ku do të qëndroj disa ditë. Princi trashëgimtar Fejsal më pret atje. Më pas do të shkoj në Sudan, ku kam gjithashtu miq. Pastaj në Libi dhe në vendet e Afrikës së Veriut, veçanërisht në Algjeri dhe Tunizi. Babai im kishte lidhje kudo.”
Leka I na duket me një pjekuri të rrallë. Ai na flet për Shqipërinë : “Vendi ynë mund të pranojë çdo regjim. E rëndësishmja është që të mos jetë i nënshtruar ndaj të huajve. Jo, shqiptarët nuk janë komunistë. Unë besoj në kthimin tim në Shqipëri. Gjithçka do të realizohet brenda kuadrit të situatës ndërkombëtare. Thelbësore është garantimi i kufijve tanë.”

I biri i Zogut I ka mbështetës të sigurt në vendin e tij, sidomos ndër këta malësorë të ashpër dhe të pathyeshëm, të cilët mbeten plotësisht armiqësorë ndaj komunizmit dhe besnikë ndaj së kaluarës… Leka I nuk ka një seli të Shqipërisë së lirë. Mbështetësit e tij ndodhen kryesisht në Amerikë. Mbreti i ri (i cili, siç na thotë vetë, i kushtohet tërësisht politikës) mban lidhje me të gjithë ata që luftojnë për t’ia rikthyer fronin.
Leka I na duket shumë i ri, pavarësisht shtatit të tij mbi dy metra dhe gjithë ambicieve politike. Megjithatë, ai duhet të jetojë edhe jetën e një të riu, të bukur dhe fisnik. Ai buzëqesh ndaj kureshtjes sonë : “Jo, për momentin nuk kam asnjë plan martese. Keni të drejtë, shtypi rozë më ka fejuar disa herë, por besomëni, nuk ka asgjë të vërtetë. Do të martohem një ditë. Për momentin, më duhet të luftoj: të mbaj të fortë dhe këmbëngulës besimin e të gjithë atyre që shpresojnë dhe besojnë në kthimin tim në Tiranë.”
Ai na flet për fëmijërinë dhe studimet e tij. Ka studiuar Shkenca Politike në Sorbonë dhe është i apasionuar pas politikës. “Asaj i kushtoj pjesën më të mirë të kohës sime…”, na thotë ai.
Por Leka I ka edhe “hobi”, gëzime nga të cilat nuk mund të heqë dorë. “Ajo që më pasionon më shumë, – më rrëfen ai, – është aviacioni. Më pëlqen shumë të pilotoj. Më pas, noti është një nga sportet e mia të preferuara. Së fundi, më pëlqen edhe gjuetia. Fatkeqësia është se nuk kam shumë kohë të lirë. Jam gjithmonë në vijën e parë.”
Ky i ri, i veshur me një kostum prej tergali gri perlë, që ndonjëherë na duket i trishtuar, ka një ëndërr që e ndjek me këmbëngulje dhe ndjehet se do ta ndjekë deri në fund: të rikthehet në vendin e tij, këtë Shqipëri nga e cila u dëbua foshnjë.
Është prekëse — dhe këtë ia themi edhe Leka I — ta shohësh pranë tij këtë burrë të fuqishëm me tipare thellësisht shqiptare, këtë kolonel të Gardës Mbretërore, i cili e kishte mbajtur në krahë kur ishte fëmijë dhe që është i gatshëm për çdo betejë për sovranin e tij. Koloneli Hysen Selmani është një njeri që ka njohur dramën e luftës dhe të mërgimit dhe që, me kalimin e viteve, nuk e ka humbur besimin në vendin e tij.
Nuk ia fshehim mbretit të ri shqetësimin tonë për të gjitha vështirësitë që ai duhet të kapërcejë. Leka I buzëqesh : “Siç e shihni, jam i ri dhe më pëlqen lufta.”
Përballë peizazhit të buzëqeshur libanez, buzë detit, duke soditur horizontin e atij Bejruti që atij i duket kaq i ndryshuar që nga dhjetë vjet më parë, sovrani i ri i Shqipërisë na flet pothuajse si një mik. Ai ndihet në prani të mirë. Prandaj na shpreh gjithë gëzimin e tij për jetën dhe gjithë shpresën për një të ardhme të ndritur.
Sipas Leka I, Shqipëria do ta rifitojë “klimën” e saj. Dhe vendi i tij do të dalë nga kjo perde e hekurt e tmerrshme në të cilën ndodhet i mbyllur. “Gjithçka është çështje kohe…”, na thotë Leka I, pak orë para se të hipë në avionin për Arabinë Saudite.
Raymond Loir

















