Të gjithë ata persona që do të duan të marrin nënshtetësinë gjermane do ta kenë më të lehtë me ndryshimet që pritet të marrin jetë së shpejti.
Ata që do të marrin nënshtetësinë nuk do të duhet të dorëzojnë patjetër nënshtetësinë e vendit origjinë. Kjo del nga një draft i projektligjit për nënshtetësinë gjermane të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, i cili është dorëzuar dikastereve të tjera të qeverisë gjermane për miratim.
Në mesin e lehtësimeve të tjera përfshihet edhe ajo e shkurtimit të kohës minimale që duhet respektuar para shtrimit të kërkesës për nënshtetësinë gjermane. Vërtetimi i njohjes së gjuhës gjermane dhe detyrimi për testin e nënshtetësisë do të hiqen për të gjithë të huajt që janë të paktën 67 vjeç. Me këtë synohet të vlerësohen arritjet e punës së brezit të punëtorëve të ardhur në vitet 50-60 të shekullit të kaluar të cilëve në vitet e para nuk iu ofruan as kurse gjuhe dhe as oferta integrimi në vitet e qëndrimit në Gjermani.
Sipas planeve të qeverisë gjermane nënshtetësia do mund të kërkohet edhe 5 vite pas qëndrimit të rregullt në Gjermani, deri më tani aplikuesit duhet të prisnin 8 vite. Ndërsa në raste të veçanta të arritjeve si në shkollë apo profesion, angazhim vullnetar apo njohuri perfekte të gjuhës, do të mjaftojnë vetëm tre vite.
Klan News