Ambasada e SHBA përmes një njoftimi në faqen zyrtare në “Facebook” bën me dije se po ndjek nga afër intervistat dhe vlerësimet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për kandidatët prokurorë që aplikojnë për tre vendet e fundit bosh në SPAK.
Më tej ambasada thotë se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për ta mbështetur Shqipërinë teksa ajo lufton korrupsionin dhe forcon institucionet e saj të drejtësisë.
“Ambasada e SHBA po ndjek nga afër intervistat dhe vlerësimet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për kandidatët prokurorë që aplikojnë për tre vendet e fundit bosh në SPAK. Shtetet e Bashkuara presin që ky proces kyç të çojë në përzgjedhjen e prokurorëve më të kualifikuar me nivelet më të larta të guximit, profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për ta mbështetur Shqipërinë teksa ajo lufton korrupsionin, forcon institucionet e saj të drejtësisë dhe mbron sundimin e ligjit. SPAK mbetet një pjesë kritike e asaj përpjekjeje”-shkruan ambasada e SHBA./Opinion.al