Presidenti i Federatës Ruse të Futbollit, Alexander Dyukov, ka deklaruar se Rusia është e gatshme të marrë përsipër organizimin e Kampionatit Evropian 2032 nëse Italia humbet të drejtën për ta pritur turneun.
“Rusia është gati të presë Euro 2032 në vend të Italisë”, tha Dyukov për faqen ruse Sport.ru, duke nënvizuar disponueshmërinë e plotë të Moskës për të organizuar ngjarjen madhore.
Deklarata e tij vjen pas spekulimeve se Italia mund të humbasë të drejtën e organizimit për shkak të problemeve me stadiumet. “UEFA ka miratuar vetëm një nga 10 vendet e propozuara, ndërsa i gjithë turneu mund t’i jepet Turqisë, që është bashkorganizator me Italinë”, thuhet në medien ruse.
Deklarata ruse shihet si një provokim dhe një mesazh i drejtpërdrejtë për UEFA-n, ndërsa diskutimet mbi vendin e organizimit të Euro 2032 vazhdojnë të jenë të hapura dhe të ndërlikuara.















