Ukrainasja 52-vjeçare e cila u dënua me dy vjet e gjysmë burg me akuzën se kishte ndihmuar nënkryetarin e Agimit të Artë, Christos Pappas të fshihej, ka dhënë një deklaratë për mediat greke.
“Unë s’mund t’i mbyllja derën atij dhe t’i thoja të largohej. A mund ta bëja unë një gjë të tillë. Nuk e kisha për qëllim, do shihja se çfarë do të bëhej”, deklaroi ajo.
Ajo tha se disa persona kishin parë Pappas, ish-deputetin që urrente shqiptarët, të futej në derën e banesës së saj dhe kishin njoftuar policinë.
“Unë jam njeri që i bindet ligjit. Unë vetë do i thërrisja autoritetet. Por nuk e bëra”, theksoi ajo.
Gjatë javës së shkuar, policia ka qenë duke e monitoruar strehën me grilat e mbyllura hermetikisht ku fshihej Pappas.
Megjithatë, ish-deputeti grek i Agimit të Artë nuk doli jashtë në asnjë moment dhe siç tregojnë fqinjët, nuk e kanë parë të dalë asnjëherë nga shtëpia apo të lëvizë në zonë.
52-vjeçarja nga Ukraina, quhet Irina Krusenitska, dhe ishte kandidate në Zgjedhjet Komunale.
Pas arrestimit të tij, Pappas u dërgua në qendrën e paraburgimit në katin e 12-të të Drejtorisë së Përgjithshme të policisë së Atikës, së bashku me 52-vjeçaren, e cila po përballet me akuza të strehimit dhe do të dërgohet në Prokurorinë Publike të Athinës.
Papas është dënuar me 13 vite burg. Gjykata Penale e Apelit e ka dënuar për veprën penale të drejtimit të një organizate kriminale.