Të gjitha objektet fetare ku do të zhvillohen meshë për Pashkë do të ruhen nga policia. “Masat janë marrë për parandalimin e ngjarjeve me karakter terrorist”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Një ditë pasi ambasada e SHBA njoftoi qytetarët e saj të bëjnë kujdes në ditët festive, Policia e Shtetit përmes një njoftimi për mediat deklaron se ka marrë masa për sigurinë në vend.
“Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë për rritjen e parametrave të sigurisë së qytetarëve gjatë ditëve të Pashkëve.
Do të ketë prezencë të shtuar policore në territor, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale. Po kështu janë marrë nën ruajtje objektet fetare si dhe ambjentet ku do zhvillohet festa e pashkëve.
Po kështu janë shtuar patrullimet e Policisë Rrugore në akset nacionale dhe akset kryesore rurale.
Masa janë marrë edhe nga Policia Kufitare në burime njerëzore dhe infrastrukturore”, bën të ditur policia në vigjilje të festës fetare të të krishterëve. /Opinion.al