Ditën e sotme në mesditë u mbajt ceremonia e lamtumirës për dy Dëshmorët e Atdheut, kapiten Floran Delia dhe toger Donald Hoxha, të cilët më pas u përcollën për në banesën e fundit, në Varrezat e Dëshmorëve.
Dy dëshmorët më të fundit të atdheut ranë në krye të detyrës si pasojë e rrëzimit ditën e djeshme të helikopterit EC 145 në Grizhë të Malësisë së Madhe, gjatë një fluturimi stërvitor, ku mbeti i plagosur edhe ushtari profesionist Gerald Baramuça.
Më herët arkivolet me trupat e pajetë të dy ushtarakëve u vendosën në hollin e Pallatit të Kongreseve ku për 2 orë me radhë kryetari i Kuvendit Ilir Meta, zëvendëskryeministri Niko Peleshi, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministra të tjerë të qeverisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, deputetë, familjarë, ushtarakë, përfaqësues të komuniteteve fetare, diplomatë të akredituar në vendin tonë, miq dhe qytetarë të ndryshëm, bënë homazhe dhe u përkulën me respekt, në nderim të të rënëve.