Në lidhje me aksionin e ndërmarrë nga Administrata Tatimore për evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të mosfaturimit të produkteve ushqimore, veçanërisht të atyre të ndjeshme si qumështi, mishi dhe bulmeti i freskët, ka reaguar në rrjetin social Facebook, kryeministri Rama.
Në postimin e tij, kryeministri e cilësoi këtë fenomen jo vetëm si një shkelje e rëndë ligjore, por edhe si një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e konsumatorëve shqiptarë.
“Mosfaturimi për qumështin, mishin dhe bulmetin e freskët kërcënon shëndetin e konsumatorëve, përveçse cenon rendin ligjor si çdo mosfaturim tjetër,” shkruan Kryeministri.
Ai theksoi se strukturat shtetërore do të jenë maksimalisht të angazhuara për identifikimin, kontrollin dhe sekuestrimin e produkteve që tregtohen pa faturë, si pjesë e një lufte të pandalshme kundër informalitetit dhe rrezikimit të sigurisë ushqimore.