Si t’ia bësh kur nuk di anglisht dhe je i detyruar të flasësh në këtë gjuhë të huaj para një numri të madh delegacionesh ndërkombëtare? Zgjidhjen e ka gjetur presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, i cili ka shqiptarizuar të gjithë fjalimin që duhej të lexonte para fillimit të seminarit të ICMG, menaxhimit të sportit, që organizohej në bashkëpunim me homologët e Komiteteve Olimpike nga Libani, Malta, Qipro, Maqedonia, Mali i Zi, Tunizia dhe San Marino.
Bezhani ka lexuar fjalimin e hapjes para pjesëmarrësve në seminar dhe më pas ka dashur ta ndajë atë edhe me të gjithë ndjekësit e tij në rrjetet sociale. Por nga shpejtësia apo pakujdesia, në Facebook ka përfunduar fjalimi i shqiptarizuar dhe jo ai i shkruar në gjuhën angleze.
Edhe pse gabimi është korrigjuar me shpejtësi, “simpatizantë” të drejtuesit të KOKSH nuk kanë ngurruar të kopjojnë me shpejtësi këtë gafë dhe ta shpërndajnë në rrjetet sociale.