21 vjeçari Mirald Metallari ka debatuar me babanë për shkaqe banale, të rëndomta, dhe në gjaknxehtësi e sipër ka marrë pistoletën e shërbimit të babait polic dhe ka qëlluar 5 herë ndaj tij. Kështu thanë burimet e policisë për Opinion.al. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e familjes Metallari në zonën e Bathores në Kamëz sot rreth orës 11:20.
E pranishme ka qenë nëna e 21 vjeçarit, Nurie Metallari e cila u plagos aksidentalisht. Burimet thanë 47-vjeçarja ka hyrë për të ndarë babë e birë dhe është plagosur aksidentalisht. I vdekur në vend, i vrarë me 5 plumba nga i biri, mbeti Myftar Metallari, 60 vjeç, punonjës policie.
Në vendngjarje u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5 gëzhoja dhe një pistoletë e llojt TT model 56.
Vrasja ndodhi në oborrin e shtëpisë 1-katëshe. Sikurse shihet nga pamjet dhe fotot, gjurmët e gjakut janë përhapur në oborr. Familja Metallari është nga fshati Papricë e Kukësit dhe ishte zhvendosur vitet e fundit në Bathore. Policia është njoftuar në numrin e emergjencave nga komshinjtë.
Autori i krimit të rëndë u kap pranë spitalit të Traumës teksa shoqëronte nënën e plagosur në spital. Policia thotë se po punon për dokumentin e plotë të ngjarjes së rëndë kriminale. /Opinion.al