Natën e së dielës u vra në një atentat Iliaz Cali, 37-vjeç në rrugën dytësore Tiranë-Durrës.
Sipas informacioneve, Cali ishte duke udhëtuar i vetëm, kur persona të armatosur hapën zjarr drejt makinës me të cilën po udhëtonte nga një tjetër mjet në lëvizje.
Trupi i pajetë i të riut është gjetur në makinë, ndërsa dera e pasagjerit ishte e hapur. Ishin shenjat e plumbave që janë evidentuar në mjetin “Land Rover” të viktimës dhe gëzhojat e shpërndara në tokë ato që kanë shtuar dyshimet e policisë se ndaj 37-vjeçarit ishte bërë atentat.
Në xhamin e parë të makinës me të cilën ai po udhëtonte janë gjetur 4 plumbave, ndërkohë ka edhe shumë të tjera në pjesën e djathtë. Deri më tani policia nuk ka mundur të identifikojë autorët e ngjarjes.
Cali njihej si pronar i një firme kamionësh dhe ishte i njohur për policinë. Mësohet se në 2016, kur policia po ushtronte kontrolle në banesat pranë Rinasit, për paratë e vjedhura në aeroport, ka gjetur qindra rrënjë kanabis, që dyshoheshin se ishin në pronësi të tij.
Asokohe u arrestua nëna e viktimës, Xhemile Cali, ndërsa Iliazi u shpall në kërkim dhe u arrestua pak më vonë.