Një sasi tritoli ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit në murin rrethues të biznesit dhe banesës së një 47-vjeçari në zonën e Don Boskos në Tiranë.
Ai është identifikuar si Përparim Kalbaj, i arrestuar në shkurtin e vitit 2018 për shpërndarje lëndësh narkotike së bashku me 3 persona të tjerë në kuadër të operacionit “DECLINE”. Atyre iu sekuestruan 276 gram kokainë të cilën dyshohej se e shpërndanin me doza të vogla në zonën e ish-Bllokut.
Përsa i përket shpërthimit, policia njofton se grupi hetimor, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri tani dyshohet se kemi të bëjmë me një paralajmërim në adresë të Kalbajt. /Opinion.al