Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë pjesës së parë të ndeshjes mes Skënderbeut dhe Partizanit. Një tifoz korçar, i pranishëm në tribunën e stadiumit “Skënderbeu” të Korçës, është ndarë nga jeta pasi ka pësuar infarkt.
Policia tha se dyshohet se shkak i vdekjes së shtetasit Anesti Trifoni, rreth 65 vjeç, ka qenë infrakti në zemër. Ai banonte në lagjen nr 2 në Korçë”, thanë blutë nga qyteti juglindor.
Alarmin për gjendjen e këtij tifozi i cili gjendej në Tribunën B e kanë ngritur personat e tjerë të pranishëm në këtë tribunë, ndërsa ambulanca e ka transportuar me shpejtësi drejt spitalit të qytetit.
Por burimet policore kanë bërë të ditur se ai ka ndërruar jetë, pavarësisht tentativave të stafit mjekësor të pranishëm. Ngjarja ka tronditur me qindra tifozë të cilët kanë asistuar në këtë skenë mjaft të rëndë që ka ndodhur para syve të tyre, duke kaluar në plan të dytë atë që po ndodhte në tapetin e gjelbër të stadiumit të Korçës.