Ndeshja mes Goga Basket dhe Kamza Basket për femra, që nuk u luajt ditën e premte, është zhvilluar dje në mbrëmje në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit.
Një takim që ka qenë një formalitet për skuadrën durrsake, e cila fitoi thellë 133-25 ndaj mikeshave nga kryeqyteti, duke marrë edhe kreun e renditjes në përfundim të javës së 12-të.
Por e veçanta e kësaj sfide ishte fakti se basketbollistja Igena Qypi ka realizuar 100 pikë për Goga Basket, duke thyer rekordin e 79 pikëve vendosur vetëm pak ditë më parë nga Elektra Zykaj për Flamurtarin.
Një ndeshje fantastike e Qypit, që thuajse e vetme ka mundur skuadrën e Kamzës, një lojtare e talentuar e kampionatit tonë dhe ekipit kombëtar. Jo vetëm kaq, por diferenca prej 108 pikësh mes dy skuadrave tregon qartë që në fushë nuk ka patur për asnjë moment rivalitet apo një sfidë reale. /telesport/