Prej katër vitesh misioni i ‘’Fundjavë Ndryshe’’ është të jetë pranë të gjithë nevojtarëve. Me anë të një pune të palodhur dhe kontributit të shqiptarëve anë e mbanë botës, është arritur t’i ndryshohet jeta qindra familjeve. Janë ata fëmijë jetimë të cilët na kanë prekur zemrat, por që tashmë kanë shpresë për të ardhmen.
Në sytë e tyre ka lumturi, pafajësi, ëndrra e shumë mirënjohje. Dhe ditën e sotme ata u bashkuan për t’i bërë një surprizë drejtuesit të ‘’Fundjavë Ndryshe’’. Në 26 vjetorin e lindjes së Arbër Hajdarit, ata kaluan një ditë ndryshe. Të gjithë bashkë si një familje e madhe, i uruan ditëlindjen.
Fëmijët përgatitën një sërë vjershash dhe këngësh, ndërsa stafi i fondacionit u kujdes që t’i argëtonte. Duke organizuar një sërë lojërash dhe duke shpërndarë dhurata për të gjithë fëmijët.
Në çastin e fryrjes së qirinjëve, Hajdari shprehu edhe dëshirën e cila më tepër ishte një premtim për gjithë familjen e madhe të ‘’Fundjavë Ndryshe’’.
“Kemi një kohë të gjatë që mundohemi të kujdesemi për çdo gjë, për të gjithë ju. Unë dua t’ju premtoj që nuk do të heqim kurrë dorë prej jush. Dhe do të vazhdojmë t’ju mbështesim me gjithë fuqitë që ne kemi.”