Kryesore

Forumi i donatorëve, Kosova siguron 400  milionë euro për rimëkëmbje


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 20:53 - 28/08/20 |
Opi Nion

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se kryeministri, Avdullah Hoti dhe ministrja e Finacave, Hykmete Bajrami kanë qenë të premten pjesë e takimit virtual të Forumit të Donatorëve për Rimëkëmbje Ekonomike, në të cilin është kuptuar se Kosova do të ketë mbi 400 milionë euro për të lehtësuar dëmet e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Kjo shumë është thënë të jetë mbledhur përmes donatorëve të disa projekteve, përkrahjes së buxhetit të Kosovës dhe huave për investime.

Aty po ashtu është bërë e ditur se kjo shumë synon të ndahet për periudhën e mbetur të këtij viti dhe vitin e ardhshëm.

“Për të mundësuar rimëkëmbjen ekonomike, do të hartohet një plan më i detajuar i investimeve më të rëndësishme për 5 vjetët e ardhshëm, i cili do të financohet nga buxheti i vendit, donatorët dhe në bashkëpunim me sektorin privat”, është thënë në njoftim.

Pjesë e këtij Forumi ka qenë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

Ai ka thënë se luftimi i pandemisë me koronavirus është detyrë e çdo qytetari, pavarësisht pse duhet drejtuar nga qeveria.

“Kur Kosova u godit nga pandemia, qytetarët, bizneset dhe organizatat ishin ndër të parat që reaguan. Plani i qeverisë për rimëkëmbje ekonomike mund të shërbejë si shtytës për angazhim domethënës me qytetarët, organizatat dhe sektorin privat për të shfrytëzuar resurset që ekzistojnë tashmë në Kosovë”, ka deklaruar Kosnett.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se sektori privat do të jetë në fokus të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2020 -2023, të cilën është duke e rishikuar Qeveria e Kosovës, në mënyrë që t’i ndihmojë bizneset, për t’u rikuperuar nga humbjet që i kanë pasur gjatë pandemisë COVID-19.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 13,100 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Prej tyre, 499 persona kanë vdekur./Opinion.al

Pas