Është emri më i lakuar i këtyre ditëve. 87vjeçari Shyqyri Çoku, hetues në kohën e dikaturës flet për herë të parë për dekoratat, persekutimet, etj. Shyqyri Çoku, ndonëse i moshuar është në një gjendje të mirë fizike e mendore. Duke folur nga shtëpia e tij në qytetin e Shkodrës, për gazetën “Shekulli”, Shyqyri Çoku pohon se gjatë gjithë jetës, nuk ka qenë asnjëherë pjesë e strukturave të Sigurimit të Shtetit, por, që nga viti 1945 e deri sa ka dalë në pension në vitin 1986 ka punuar në policinë e shtetit, ndërsa shprehet edhe lidhur me personalitetet të cilët janë lakuar këto ditë si viktima të tij.
Z . Çoku, ju keni keni qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, siç ju kanë akuzuar këto ditë?
Jo, nuk kam punuar asnjëherë me këtë strukturë. Kam qenë vetëm në polici. Kur u vendosen gradat kam shkuar deri Kapiten i Parë. Pastaj gradat u hoqën. Kam punuar në policinë e qytetit tek ura e Kirit. Sigurimi i Shtetit ka qenë strukturë dhe ndërtesë me vete.
Si i keni njohur At Zef Pllumin dhe Sami Repishtin?
At Zef Pllumin e kam njohur pasi ky, në bashkëpunim me një prift tjetër, do të arrestoheshin në Jugosllavi dhe i kanë kapur forcat dhe i sollën në degën e brendshme. Aty, kryetari i degës, më ka thirrur dhe më thotë se këta të dy kanë dashur të arratiseshin dhe merri në pyetje. Ishte bërë një proçesverbal për rrethanat që janë kapë. Akuzën se deshën të arrtiseshin e pranuan dhe nuk pati asnjë akt dhune nga ana ime. Unë thjesht kam mbajtur proçesverbalin e marrjes në pyetje, duke shkruar atë që ai thoshte dhe nuk e kam torturuar. Ai nuk ka patur akuzë tjetër, pasi kishte qëllim që të shkonte në Vatikan. Ndërsa Sami Repishtin nuk e kam njohur asnjëherë dhe as e kam patur në hetim. Ai më rradhit mua në radhët e Sigurimit të Shtetit, por kjo nuk është e vërtetë. Më quan major i Sigurimit të Shtetit në vitin 1990, ndërkohë që unë kam dalë në pension në vitin 1986. Kam qenë punonjës i policisë që në formimin e saj më 14 maj 1945 dhe kam kryer detyrën nbë bazë të ligjeve, mbi të cilat u krijua dhe funksiononte kjo polici, ligje këto të botuara dhe në gazetën zyrtare me rastin e 20vjetorit të krijimit të kësaj, më 1965, ku, ndër fotot e punonjësve të policisë jam dhe unë. Sigurimi i Shtetit nuk ka qenë kurrë pjesë e policisë. Sami Repishti më akuzon se nuk kam luftuar me armë në dorë për arsye të moshës dhe këtë e hedh poshtë me dokumentet që disponoj, fotot me formacionet partizane, madje ruaj dhe traktin e parë që kam shpërndarë. Më 15 janar 1948 jam dekoruar me Medaljen e Çlirimit me motivacionin: “Ka marrë pjesë në rreshtat e Ushtrisë NacionalÇlirimtare me armë në dorë, ka luftuar kundër okupatorit për çlirimin e Atdheut”. Gjithashtu më kanë dhënë dhe Medaljen e Trimërisë me motivcionin “Luftëtar trim, shembull qendrese e vetëmohimi në luftë kundër okupatorit për çlirimin e atdheut”. Po kështu kam edhe 10 dekorata e medalje të tjera që vërtetojnë statusin e veteranit. Sami Repishti përmend dhe vëllezërit Gavoçi, se i kam patur daja, por në fakt kanë qenë djemtë e tezes, por me statusin e vëllait, pasi ata janë rritur në një shtëpi me mua, nga nëna ime. Nuk është e vërtetë që kam zaptuar shtëpinë e tregtarit Dan Hasan Dani. Unë, bashkë me familjen time, jam vendosur në atë shtëpi në vitin 1981, kohë në të cilën ajo ishte pronë e shtetit, banesa nr. 120. Që nga shtetëzimi i saj dhe deri në vitin 1981, kur kam hyrë unë, në atë shtëpi, kanë banuar shumë familje, njësoj si në të gjitha shtëpitë që iahin kthyer pronë shtetërore. Kjo është e dokumentuar.
Ditët e fundit flitet shumë për dekoratën e dhënë për 70vjetorin e çlirimit. Sipas jush përse bëhet aq shumë zhurmë?
Askush nuk e bën pyetjen pse ndodh kjo pas një viti që është dhënë dekorata. Është absurde që kjo ndodh për një dekoratë të dhënë pas një viti. Pse nuk ndodhi kjo vitin e kaluar, kur edhe u dha dhe morivacioni i saj është për pjesëmarrje në luftë, me rastin e 70vjetorit të çlirimit dhe, siç e thotë dhe ish-presidenti Alfred Moisiu, këto medalje janë dhënë për pjesmarrjen në luftë dhe jo për kohën pas çlirimit dhe as për përfitime pasurore. Këto përfitime nuk i kam lakmuar dhe nuk i kam pasur asnjëherë. Në vitet pas çlirimit kam punuar me ndershmëri duke zbatuar gjithmonë ligjet në fuqi. Po të kisha punuar ndryshe do të kisha marrë dënimin përkatës edhe në atë kohë. Kanë kaluar 25 vite nga ardhja e demokracisë dhe tani u kujtuan për Shyqyri Çokun.
Një ndër argumentet që paraqiten në media apo dhe artikulohen nga figurat politike, është dhe dekreti i vitit 1994 për statusin e veteranit nga ish-presidenti Berisha. Si është e vërteta ?
Këtu kam të gjitha dekoratat, por pas 1990 nuk kam marrë asnjë, përveç kësaj të vitit 2014 për 70vjetorin e çlirimit. Në vitin 1994 më është dhënë thjesht statusi gjitha medaljet që kam marrë më janë dhënë për shërbim ndaj atdheut. Meqë kjo medalja e fundit i veteranit dhe shuma përkatëse e parave, si për të gjithë pjesmarrësit në luftë. Sami Repishti më akuzon për gjëra të pavërteta. Nuk e kam parë kurrë dhe as nuk e kam njohur fare. Ai gënjen dhe kjo është e faktuar, me ato që thashë dhe më sipër. Më quan major të Sigurimit më 1990 kur isha në pension që më 1986. Kjo është një zhurmë për asgjë. Dekorata është dhënë për një periudhë kur kam kontribute, siç është lufta dhe kjo nuk mund të mohohet. Jam krejt i qetë, sepse gjatë gjithë punës, duke u mbështetur në ligjet e shtetit, jam bazuar në provat që kam patur. Kur vinte dikush nga kolegët në zyrën time shihnin një xham ku kisha foton e tre fëmijëve të mi. Habiteshin dhe më pyesnin se çfarë ishte ajo. U thoja se më ka porositur gruaja që të shikoja ligjin mirë që të mos i merrja fëmijët në qafë. Gjithçka sipas ligjit. Nuk kam përfituar asgjë, asnjë privilegj gjatë punës sime. Kur kam dalë në pension, janë marrë parasysh. Ato lekë që janë dhënë më 1994ën nuk është se kanë çuar peshë, sepse edhe pa to nuk do vdisnim. Të gjitha medaljet që kam marrë më janë dhënë për shërbim ndaj atdheut. Meqë kjo medalja e fundit u bë mollë sherri mes forcave politike, jam gati ta dorëzoj, madje edhe aty në mes Parlamentit. Ndoshta kështu mund t’i shërbej atdheut përsëri.
Cili është mesazhi juaj pas gjithë kësaj situate ku jeni përfshirë duke ju përmendur pareshtur?
Mendimi im është që, kur ti ngarkon dikë, akuzon dikë për një problem duhet ta verifikosh atë. Për çdo lloj problemi, qoftë dhe për rastin konkret, ato që shprehen duhet të verifikojnë dhe të thonë të vërtetën, duke mos shpifur, pasi kjo shkakton dhe mërzitje.