Mjeku që ka operuar reperin Noizyn ka treguar se atij i është hequr një plumb gjatë një ndërhyrjeje kirurgjike.
Mjeku kujdestar në Emergjencën e Prishtinës, Avni Xhafa, ka folur pas incidentit në qendër të Prishtinës, duke thënë se këngëtari u plagos në të pasme. Ortopedi Xhafa e ka operuar Noizyn pasi ai ishte qëlluar nga një plumb, i cili i është hequr pas një ndërhyrjeje kirurgjike.
“Konfirmoj se Rigels Rajku ka ardhur me një plagë në regjionin gluteal të djathtë si dhe plumbin i cili prezanton në rentgen në të njëjtën anë. Plumbi është hequr ndërsa gjendja e pacientit është stabile dhe pa dëmtime të strukturës kockore dhe neurovaskulare”, ka thënë mjeku Avni Xhafa për KALLXO.com
Sipas tij, pacienti ka refuzuar të qëndrojë në Spital, edhe pse me plagë në të pasme. Noizy është parë në korridorin e Emergjencës pas operimit.
Përveç Noizyt në incidentin e armatosur në qendër të Prishtinës është plagosur edhe shoku i tij, i njohur me nofkën “Varrosi”.