Aktualitet

Finalja e Conference League në Tiranë, Veliaj: Të përgatitur për 5 mijë tifozë



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 18:10 - 29/01/22 |
Opi Nion

Kryebashkiaku Veliaj gjatë një takim me operatorë turistikë të agjencive në kryeqytet, ka folur sërish lidhur me përplasjet me kreun e FSHF Armando Duka, ndërsa pohoi se mbi këtë argument nuk ka asnjë interes personal.

“Nuk kam asnjë interes personal, por s’mund të jem kryetar i Bashkisë së një qyteti ku ekzistojnë 300 skuadra sportive fëmijësh, dhe pasi prindërit e tyre harxhojnë 20 vitet e fundit nga 20-30 mijë lekë çdo muaj për t’i stërvitur, ata të kthehen në një ankand dhe prindi që nuk paguan dot 100 mijë euro nuk e shpie dot djalin të luajë futboll si profesionist. Kjo më duket fyese dhe këtë betejë e bëj patjetër, si aksioner i Klubit të Tiranës, si financuesi më i madh. Kur ke financuar kaq shumë në qytet për sportin dhe kupton se fushat dhe bari nuk mjaftojnë për t’u siguruar që talenti përfundon atje ku duhet, atëherë më takon të reagoj edhe si qytetar”, tha Veliaj.

Veliaj u ndal gjatë takimit veçanërisht në përgatitjet për finalen e madhe të Conference League që do të zhvillohet më 25 Maj në stadiumin “Air Albania”. Ai u shpreh se është një operacion i jashtëzakonshëm që ka nevojë për mirëkoordinim për tifozët e shumtë që do të vijnë në Tiranë.

“Jemi përgatitur të presim rreth 5 mijë tifozë në Tiranë, nga secila prej skuadrave që do të luajë finalen e Conference League, kurse pjesa tjetër mund të jenë tifozë lokalë. Do të na duhet shumë ndihmë sepse është një operacion që do të ndodhë tre ditë; pra, dy ditë para ndeshjes dhe një ditë pas saj, ku do të mobilizojmë rreth 100 autobusë të dedikuar vetëm për transportin Tiranë-Rinas. Për këtë arsye na duhet të dimë pak a shumë kapacitetet tuaja. Jemi duke monitoruar hotelet e reja, që janë në pritje për t’u hapur, dhe të shohim kush do të kapë afatin e datës 25 maj; pra, do të jetë një operacion i jashtëzakonshëm. Ndaj, do të doja që të gjithë bashkë të kemi një super-koordinim vetëm për këtë ngjarje të madhe”, nënvizoi Veliaj./Opinion.al

 

 

Pas