Festivali “Umbria Jazz”, policia shqiptare në ndihmë të autoriteteve italiane

Dy oficerë të Policisë së Shtetit Shqiptar do të angazhohen në shërbimet e rendit dhe sigurisë publike gjatë festivalit të njohur ndërkombëtar “Umbria Jazz”, që zhvillohet çdo verë në qytetin italian të Perugias.

Lajmi u konfirmua nga autoritetet italiane, pasi drejtori i Policisë së Perugias, Dario Sallustio, priti në një takim zyrtar oficerët shqiptarë që do të punojnë krah për krah me kolegët italianë në terren.

Bashkëpunimi është pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare të koordinuar nga Departamenti i Sigurisë Publike në Itali dhe Shërbimi për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë.

Pjesëmarrja e policëve shqiptarë vjen pas përvojës pozitive të dy viteve të fundit dhe ka për qëllim jo vetëm forcimin e sigurisë gjatë aktiviteteve me pjesëmarrje të gjerë, por edhe asistimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen në Itali për pushime apo për të ndjekur festivalin.

Gjatë qëndrimit të tyre, efektivët shqiptarë do të patrullojnë së bashku me oficerët italianë dhe do të ndihmojnë në lehtësimin e komunikimit mes qytetarëve shqiptarë dhe Policisë italiane.




Ju sugjerojmë

Para















TE FUNDIT