U kthyen në episode dhune dhe tragjedie festimet për triumfin historik të Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëv, duke shkaktuar dy viktima dhe qindra të plagosur, sipas autoriteteve franceze.
Sipas një zëdhënëseje të policisë, një i ri u godit për vdekje me thikë në qytetin Dax, në jug të vendit, teksa një turmë po festonte fitoren e PSG-së. Rrethanat e incidentit mbeten ende të paqarta dhe hetimet janë në vijim.
Ministria e Brendshme franceze konfirmoi gjithashtu një viktimë të dytë: një grua që po udhëtonte me skuter në Paris u përplas për vdekje nga një automjet gjatë kaosit të krijuar nga tifozët.
Përtej dy viktimave, Ministria raportoi një bilanc të lartë dhune në të gjithë vendin: 192 persona janë plagosur, përfshirë 22 efektivë policie dhe 7 zjarrfikës.
Të paktën 559 persona janë arrestuar, kryesisht në Paris, ku pati përplasje mes tifozëve dhe forcave të rendit. Në qytetin Grenoble, një makinë u përplas me një grup njerëzish, duke plagosur katër anëtarë të një familjeje, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Policia e trajton këtë si një aksident.
Fitorja e PSG-së, e cila shënoi suksesin e parë të klubit në këtë kompeticion prestigjioz, u shoqërua me një atmosferë të elektrizuar në të gjithë Francën. Por, për fat të keq, festimet në shumë zona degraduan në përleshje, vandalizëm dhe ngjarje tragjike. Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë dhe kanë bërë thirrje për qetësi dhe për të shmangur përsëritjen e incidenteve të ngjashme.