Të gjithë amerikanët që konsiderohen me imunitet të dobët do të marrin dozë të tretë kundër COVID-19. Tashmë përdorimi i dozës së tretë për këtë kategori njerëzish është miratuar zyrtarisht dhe nga Agjencia amerikane e Barnave FDA.
Ndërkohë shtetet e tjera si Britania e Madhe, Gjermania, Franca e Izraeli në shtator do të nisin përdorimin e dozës së tretë të vaksinësn për të gjithë qytetarët, pa dallim. Megjithatë, jo të gjithë ekspertët janë dakord se një dozë përforcuese është e nevojshme.
OBSH u bëri thirrje qeverive që të mos autorizojnë dozat e treta deri të paktën në fund të shtatorit, periudhë brenda të cilës, të gjithë të vaksinuarit e deritanishëm kanë imunitet për t’u përballur me rrezikun e imunizimit.
Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të botës po përballen me një valë të re përhapjeje, për shkak të variantit Delta, ku falë ritmeve të larta të vaksinimit të popullsisë nuk ka patur rritje të vdekshmërisë. Ndryshe ndodh në Rusi ku vala e Deltës e ka çuar vdekshmërinë në nivelet më të larta të gjithë periudhës së pandemisë. Këtë të Premte u shënua rekordi absolut prej 815 viktimash.