Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara tha të martën se numri i vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara është “pothuajse me siguri më i lartë” sesa shifra e raportuar prej 80,000 viktimash dhe paralajmëroi për pasoja të rënda nëse qytete dhe shtetet rihapen shumë shpejt.
Ai i tha një paneli të Senatit që po heton reagimin e Shteteve të Bashkuara ndaj pandemisë se një numër i pa llogaritur i viktimave të koronavirusit, veçanërisht në qytetin e Nju Jorkut, kanë vdekur në shtëpi pa u përfshirë zyrtarisht në numrin total të vdekjeve në nivel kombëtar, por nuk pranoi të spekulonte se deri ku mund të ketë arritur kjo shifër.
Dr. Fauci paralajmëroi se është “tërësisht e mundur” që pandemia “të mund të përkeqësohet” në Shtetet e Bashkuara në muajt e vjeshtës nga shtatori deri në nëntor, por tha se shpresonte që deri në atë kohë vendi do të “mund të merrej me të” më mirë se deri më tani.
Presidenti Donald Trump ka nxitur bizneset dhe guvernatorët e shteteve që të rihapin ekonominë më të madhe në botë dhe të gjithë guvernatorët, me disa përjashtime, kanë lëshuar ditët e fundit urdhra për rihapjen e disa dyqaneve, restoranteve dhe zyrave me kusht që ato të ndërmarrin masa për të plotësuar disa kushte paraprake.
Por Dr. Fauci, në dëshminë nga shtëpia e tij në periferi të Uashingtonit, tha se “ekziston një rrezik real se mund të ballafaqohemi me një shpërthim të parandalueshëm” nëse udhëzimet e qeverisë, që bëjnë thirrje për një rënie të qëndrueshme të numrit të rasteve për një periudhë dy javore, injorohen para se të ketë një rikthim në jetën normale në Shtetet e Bashkuara.
“Pasojat mund të jenë të rënda,” tha ai.
Provat klinike për vaksinën kundër Covid-19
Dr. Fauci tha se tetë vaksina kundër koronavirusit po zhvillohen në Shtetet e Bashkuara.
“Nëse jemi të suksesshëm,” tha ai, “shpresojmë ta mësojmë (rezultatin e tyre) në fund të vjeshtës, ose në fillim të dimrit.”
Por ai tha se kjo është akoma e largët për miliona studentë dhe nxënës që do të ktheheshin në universitete dhe shkolla në të gjithë vendin në gusht dhe shtator.
Presidenti Trump ka thënë se ka patur një rritje të madhe të testimeve për koronavirusin në Shtetet e Bashkuara, më shumë se në çdo vend tjetër, megjithëse disa raporte thonë se Shtetet e Bashkuara nuk radhiten në mesin e 20 vendeve të para për nga numri i testimeve të administruara për në raport ne popullsinë.
“Testimet tona janë më të mirat në botë!” Presidenti Trump tha në Twitter disa orë para se të fillonte seanca dëgjimore në Senat. “Shifrat (e rasteve të koronavirusit) po bien në pjesën më të madhe të vendit tonë, i cili dëshiron të hapet dhe të fillojë punën përsëri. Kjo po ndodh në mënyrë të sigurt!”
Por një kritik i shpeshtë i Presidentit Trump, senatori republikan nga Juta, Mitt Romney tha në seancë se, “Për mua, ritmet tona të testimeve nuk meritojnë për t’u festuar.”
Senatori Lamar Alexander, i cili drejtoi seancën e Senatit ndërsa vazhdon të jetë në vetëizolim në shtëpinë e tij në Tenesi, tha: “Ne kemi nevojë për testime në masë, miliona më shumë teste për t’u dhënë amerikanëve besim të mjaftueshëm për t’u rikthyer në punë dhe në shkollë.”
Admirali i Marinës, Brett Giroir, ndihmës Sekretar në Departamentin e Shëndetësisë, u tha ligjvënësve se 9 milionë teste për koronavirusin janë administruar në Shtetet e Bashkuara, nga të cilat më shumë se 1.3 milionë njerëz kanë rezultuar të infektuar.
Ai tha se 240 qendra testimi tani janë në operim në Shtetet e Bashkuara dhe se 12,9 milionë njerëz të tjerë do të testohen gjatë katër javëve të ardhshme. Zoti Giroir tha se do të ketë një rritje të dukshme të numrit të testimeve në muajt e ardhshëm, ndoshta mund të arrijë nivelin e 40 deri në 50 milionë testimeve në muaj nga shtatori.
Presidenti Trump në një postim në Twitter tha: “Mos e harroni këtë, çdo guvernator që ka mbështetje të lartë për trajtimin e çështjes së koronavirusit, gjë që më gëzon për të gjithë, në asnjë mënyrë nuk do të mund të kishte marrë këtë nivel mbështetjeje ose suksesi pa ndihmën time ose pa ndihmën e qeverisë federale. Nga aspiratorët deri te testimet, ne i bëmë të mundura këto!”
Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive, është në një “karantinë të modifikuar” pasi ai ishte në kontakt javën e kaluar me sekretaren e shtypit të Nënpresidentit Mike Pence, Katie Miller, e cila ka rezultuar pozitive në testimin për koronavirus.
Tre zyrtarë të tjerë të lartë të shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara, Stephen Hahn, komisioneri i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve, Robert Redfield, drejtori i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Brett Giroir dëshmuan gjithashtu nga distanca përmes videokonferencës. Seanca dëgjimore u drejtua nga senatori Lamar Alexander, i cili është në vetëizolim në shtëpinë e tij në Tenesi.
Redfield tha: “Ne duhet të jemi vigjilentë. Distancimi fizik (dy metra larg njëri-tjetrit) mbetet i domosdoshëm.”
Demokratët kritikuan reagimin e Presidentit Trump ndaj Covid-19
Seanca dëgjimore para Komisionit të Senatit për Shëndetësinë, Arsimin, Punën dhe Pensionet u organizua nën titullin “COVID-19: Kthimi i sigurt në punë dhe në shkolla”. Por pakica demokrate në panelin e udhëhequr nga republikanët e shfrytëzoi atë si mundësi për të sulmuar dështimin e administratës së Presidentit Trump për t’u marrë me shpejtësi dhe në mënyrë të duhur me përhapjen e sëmundjes ndërsa ajo po avanconte nga Kina në fillim të këtij viti.
Senatorja Patty Murray, një demokrate nga shteti perëndimor i Uashingtonit, tha: “Presidenti Trump është përpjekur të injorojë faktet dhe ekspertët”.
Në një moment në fillim të këtij viti, Presidenti Trump siguroi amerikanët se sëmundja së shpejti do të zhdukej. Tani, më shumë se 80,000 vdekje nga COVID-19 janë regjistruar zyrtarisht në Shtetet e Bashkuara dhe ekspertë të shëndetësisë në Universitetin e Uashingtonit po parashikojnë se më shumë se 137,000 amerikanë do të vdesin nga kjo sëmundje deri në muajin gusht.
Dr. Fauci është shfaqur shpesh në konferencat e shtypit të Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin së bashku me Presidentin Trump, ku ai në disa raste është vënë në pozitë të vështirë sepse parashikimet e tij binin në kundërshtim me parashikimet pozitive të Presidentit se pandemia ishte nën kontroll në Shtetet e Bashkuara dhe se vendi mund të rifillonte jetën normale, duke rihapur dyqanet, restorantet dhe bizneset. / VOA