Shkup– Emigrantët, të cilët një ditë më parë i qepën buzët e tyre, refuzojnë të hanë dhe të marrin ndihmë. Për këtë shkak, një emigrant ka humbur ndjenjat dhe është transferuar në spital në kampin grek. Ndërkohë situata në vijën kufitare mes Maqedonisë dhe Greqisë në kuotat 58 dhe 59 mbetet e njëjtë. Rreth 300 emigrantë të cilët me ditë të tëra nuk lejohen të hyjnë në Maqedoni, qëndrojnë në një kamp të improvizuar në zonën neutrale.
“Zemrat tona janë të thyera. Ne jemi sikur të vrarë dhe të vdekur. Gjermani të lutem na jep liri, na jep jetë”, tha një emigrant nga Maroku.
“Disa prej nesh dëshirojnë të shkojnë në Gjermani, disa në Danimarkë e disa në Finlandë. Ne nuk jemi terrorist, ne vetëm duam t’i shpëtojmë jetët tona”, u shpreh një emigrant nga Bangladeshi.
“Nuk kthehemi mbrapa meqë kemi paguar shumë për të arritur deri këtu. Mund të shihni, njerëzit nga Irani i qepën buzët e tyre. Edhe pakistanezët, ata nga Bangladeshi dhe vendet tjera poashtu do t’i qepin buzët e tyre dhe derisa jemi këtu as nuk do të hanë e as nuk do të pinë”, theksoi një emigrant nga Pakistani.
Hyrja në Maqedoni vazhdon të mos pengohet për refugjatët nga Siria, Afganistani dhe Iraku. Sipas të dhënave të UNHCR-së në 12 orët e fundit përmes kampit të pranimit në Gjevgjeli kanë kaluar mbi 1000 refugjatë. Në ditët e ardhshme numri i tyre pritet të zvogëlohet, pasi për shkak të motit të keq nuk lejohet transportimi i refugjatëve nga dhe drejt ishujve grek./ Zhurnal