Atë e bijë përballen sot në rubrikën “Shihemi në Gjyq” të emisionit “E Diela Shqiptare”. Familja Ahmetaj prej kohësh po vuan për tokën e saj dhe për këtë fëmijët akuzojnë prindërit. Brunilda dhe Selimi ishin sot në këtë seancë ndërmjetësimi, ndërsa tre fëmijët e tjerë e ndoqën nga publiku i studios.
“Para disa viteve, kur u ndanë pronat me ligjin 7501, unë kam qenë e pamartuar dhe jetoja me prindërit, motrat dhe vëllezërit. Ndërkohë që u ndanë tokat, më takonte dhe mua 900 metra tokë. Pasi u martova, babi lidhi një kontratë me një ndërtues, të cilin nuk e njihte. Babi vendosi ta jepte tokën pa na pyetur ne fëmijëve. Unë herë pas here insistoj të pyes babin se përse e bëri këtë veprim dhe pse na ka futur në gjithë këto telashe sepse jemi futur në konflikte shumë të mëdha. Përvçse e humbëm tokën, nuk më kthen asnjë përgjigje në lidhje me këto. Ndërkohë ne fëmijët kemi hapur edhe një proces gjyqësor kundër nënës dhe babit sepse i dhanë tokën pa na marrë asnjë firmë ndërtuesit”.
Juristja Eni Çobani tregon se kërkesë-padia u pranua dhe është bërë konstatimi i pavlefshmërisë absolute të kontratës mes Selim e Zonje Ahmetaj dhe shoqërisë “Mesaplik-05 sh.p.k”.
Selimi ndërhyn dhe thotë që u jep të drejtë fëmijëve por edhe ata duhet t’i japin të drejtë kur të mësojnë se përse ka vepruar në këtë mënyrë.
Brunilda – Pse duhet ta dëgjojmë këtu? Pse nuk na e ke treguar në shtëpi kur kemi folur bashkë?
Selimi – Ne kemi një pronë te “Unaza e Re” të marrë me ligjin 7501 dhe kemi 26 vjet që e gëzojmë me të drejta të plotë.
E. Çobani – Sa veta keni qenë në certifikatën familjare kur e keni marrë?
Selimi – Ne kemi qenë 7 veta. Kur morëm pronën ishim të gjithë bashkë, tani jemi bërë 7 familje. Në vitin 2006 aty u bë një studim urbanistik dhe këto prona kaluan për zhvillim, ndërtime mbi 5 kate. Na vjen një ndërtues te shtëpia dhe na thotë që jam interesuar në hipotekë, kam gjetur pronën tuaj. Në atë kohë fëmijët e mi nuk ishin këtu, vajza e dytë ishte në Francë …
E. Çobani – Arsye nuk është kjo se ajo vjen nga Franca.
Brunilda – Mirë këta që nuk ishin këtu, por unë isha këtu. S’jam pyetur asnjëherë, jam trajtuar sikur jam fëmijë akoma.
Selimi – Dy djemtë ishin jashtë shtetit, nuk ishin këtu. Ne kemi dhënë 3 045 metra katrorë tokë.
Vajza Enkeleda– Që nga Franca e merrja në telefon babin tim se kisha pyetur për atë ndërtues. Kam dy fëmijë të sëmurë dhe kisha vajtur t’i shëroja atje. E merrja, i thoja të lutem babi, vetëm me atë mos bëj kontratë pa ardhur unë se kisha pyetur e ai ishte një maskara, një hajdut!
Brunilda – Nuk ishte ndërtues, por ishte mashtrues! Ne ia kërkonim babit me insistim dhe ai më thoshte pusho se i di unë të gjitha.
E. Çobani – Babi që e ka lidhur këtë kontratë, s’do t’i merrte me vete dhe për ju do ta ketë lidhur detyrimisht.
Selimi – Sot unë jam në pension dhe prapë për këta fëmijë punoj sepse unë atë pronë nuk do ta marr në varr, këtyre do jua lë.
Vajza Enkeleda– Po, por çfarë na bëre?!
Selimi – Unë këtu disponoj një hartë të tokave të komunës Kashar të vitit 2006, të miratuar nga të gjithë institucionet e shtetit dhe thotë: “Republika e Shqipërisë, Këshilli Kombëtar i Territorit”, firma dhe vula e zotit Sali Berisha. Toka ime është futur në studim për pallate dhe në qoftë se kjo tokë nuk do të ishte në Komunën e Kasharit nuk do ta kapte ky studim urbanistik. Ndërtuesi në vitin 2013 nxjerr një leje ndërtimi në emrin tonë dhe të disa pronarëve të tjerë tokash. Çuditërisht, kur mbaroi kontrata e vitit 2007 dhe ne lidhëm një kontratë tjetër në vitin 2013 me këtë ndërtues. Aty u bë i gjithë gabimi im që unë e lidha këtë kontratë për së dyti me këtë ndërtues …
Brunilda – Prapë pa na e marrë firmën neve! Prapë pa u pyetur e pa u marrë parasysh kërkesat tona!
Selimi – Para se ta lidhnim kontratën e pyes çfarë do të bëhet këtu e më thotë ja do të dalë leja nesër, por e dua ta lidhim urgjent këtë kontratën. I them dua projektin dhe më thotë që ka kaluar dhe është miratuar, tani duhet të dorëzohet projekti e të miratohet leja. Ai u detyrua që më dha projektin. Kur e çojmë te një inxhinier shohim që një prona jonë ishte vënë në projekt pa e vënë në kontratë. Domethënë donin të na vidhnin një pronë se i kishim ngjitur.
E. Çobani – Ju jeni një familje bujqësore, e ndërtuar prej 7 individësh. Ligji që ju pajisi me tokë ka thënë: “Çdo pronë e ndërtuar në bazë të këtij ligji është pjesë në tërësi e familjes bujqësore”. Ti iu drejtove një noteri, por a i çove certifikatën e trungut familjar për të lidhur këtë kontratë sipërmarrjeje?
Selimi – Nuk ma ka kërkuar.
Brunilda – Kështu është justifikuar. Noterja i njeh ligjet, unë nuk i njoh. Por ç’kusur kemi ne të tjerët këtu?
E. Çobani – Në kontratën e parë sa keni pretenduar që jeni? Vetëm ju të dy, pra ju dhe Zonja?
Selimi – Ne kështu e kemi bërë, vetëm unë dhe gruaja, jo fëmijët sepse ndërtuesi dhe noterja na thanë që nuk ka nevojë, kur të bëni aneks kontratën duhet të firmosin edhe fëmijët.
E. Çobani – Ata ishin në dijeni që ishin edhe fëmijët dhe nuk jua … Ky është një problem i madh shumë!
Djali Gramoz – Noterja dhe ndërtuesi kanë thyer ligjin sepse ligjërisht duhet të na fusnin dhe ne në atë leje ndërtimi. Të dy e kanë mashtruar babin dhe babi ka rënë viktimë e tyre.
Brunilda shprehet pas vendimit të gjykatës menduan që mos ta prishnin kontratën, por të ndanin me njëri – tjetrin ato çfarë kishin rënë dakord Selimi me investitorin. Ajo thotë se problemet nisën kur ndërtuesi nuk pranonte të bëhej aneks kontrata.
Brunilda – Sa herë që shkonim tek pallati njoftohej policia dhe babi rrinte gjithë ditën në rajon sepse nuk lejohej të hynte në kantierin e ndërtimit. Babi insistonte të lidhej aneks kontrata që të ndaheshin pjesët takuese, ai njoftonte policinë e thoshte nuk keni pronë ju dhe lloj lloj justifikimesh. Ndërkohë që edhe në polici paska patur mbështetje të madhe mesa duket.
Selimi – Nuk na pranonte më ndërtuesi të hynim në pronën tonë sepse thoshte që ju keni probleme me pronën. Ne u interesuam në hipotekë dhe nuk na jepte njeri informacion. Ndërtuesi ishte lidhur me nëndrejtorin e hipotekës, Fatmir Isufin, që bënte falsifikimet në hipotekë e merte pjesën e tij dhe këtë e them me fakte.
Brunilda – Si mund të marrë ai pjesë, kur unë nuk kam marrë pjesën time?
Selimi – Ne, në mënyrë miqësore, ndërhymë në hipotekë dhe morëm dokumentacionin se çfarë ka prona jonë. Aty gjejmë që në pronën tonë kishin regjistruar dy shtëpi, një fillimisht. Kishte bërë njëri një legalizim, kur unë këtu kam një vendim që thotë: “Kur ka studim urbanistik nuk ka legalizim”. Një ligj tjetër e rregullon që këta informalët që kanë bërë shtëpi në tokën e tjetrit duhet t’i strehojë me banim ndërtuesi i pallatit. Ligji thotë nga 9 deri në 11 metra katror për frymë, por unë dhe ndërtuesi u lamë nga 200 metra katrorë për familje.
Brunilda – Shiko gabimi tjetër. Ju ka dhënë atyre që s’kanë asnjë dokument për tokën, kur unë pronarja e tokës nuk kam marrë asnjë centimetër. Babi im u fal 200 metra katrorë ndërtim informalëve.
E. Çobani – U fale tokë me koshiencë?
Selimi – Po.
E. Çobani – Po tokën e kujt fale?
Brunilda – Tokën e fëmijëve.
Selimi – Timen, tokën e familjes time.
E. Çobani – Nuk ka qenë tëndja, por e 7 vetave. Nuk je ti pronari Selim, është familja bujqësore Ahmetaj, ku ju jeni kryefamiljari dhe keni 6 anëtarë të tjerë.
Selimi – Ky është gabimi im. Mua të më falin fëmijët që kam bërë një veprim të tillë, por kjo punë nuk ka përfunduar.
Vajza Enkeleda – Shkon përditë në prokurori e nuk na tregon asnjë gjë.
Selimi – Unë u kam sjellë pasoja shumë të rënda fëmijëve të mi, por unë nuk e dija që isha lidhur me një grup kriminal, se kriminalë janë derisa kanë arritur të më vjedhin pronën, më kanë vënë edhe bomba.
Brunilda – I lejove ti të venin bomba se po të ishim pyetur ne s’do të kishin bërë asgjë.
Djali Ardi – Është e vërtetë. Mua më 4 Mars 2017 më është vënë tritol në makinë. Kam qenë me djalin tim 9 vjeç. I denoncuar si rast, unë jam arrestuar dhe pas 3 ditësh më ka nxjerrë policia. Faji është i këtij që na lidhi me ata kriminelë e mafiozë. E dinte ky se i kemi thënë mos u lidh me këta.
Selimi – Ne kërkonim një mbrojtje nga shteti se jeta jonë ishte në rrezik. Prokuroria vazhdonte hetimet e më pas mori një vendim të bëjë një akt-ekspertimi se çfarë kishte ndodhur në këtë pronë. U caktuan disa oficerë të policisë gjyqësore dhe zbarkuan në këtë pallat, që sot ka mbaruar dhe kanë hyrë njerëzit. Avokati im thotë që duhet të njihemi me akt – ekspertimin, ndaj i bëjmë një kërkesë prokurorisë. Pasi e lexojmë, aty dalin të gjitha të palarat në shesh.
Ndërtuesi na kishte marrë jashtë lejes së ndërtimit 800 e ca metra katrorë, për të cilën jemi ankuar disa herë deri te kryeministri. Pastaj shikojmë që gjithë pallati ishte shitur dhe ne s’kishim asnjë gjë!
Aty gjejmë hajdutin që na kishte vjedhur pronën, Fatmir Isufin, nëndrejtorin e Hipotekës, të cilin ne e kemi kallëzuar penalisht. Ai është i kujdesshëm, nuk e kishte regjistruar në emrin e tij këtë pronë, por në të nipit. Kush është nipi i tij? Është njëri që bën llaç dhe ka marrë gjithë katin e dytë të pallatit dhe ka bërë 16 dyqane! Çfarë bën shteti? Çfarë bën prokuroria?
Gramozi – Këta janë një grup shumë i madh që na mpleksi babai me ta. Grupi është shumë i organizuar.
E. Çobani – Ju flisni me hamendësime sepse nuk keni prova e fakte.
Gramozi – Këto janë me prova dhe fakte dhe ne mbajmë përgjegjësi për të gjitha këto se i kemi kaluar në kurriz.
Selimi – Këta donin që këtë vjedhje ta finalizonin se s’bën. Shkon një qytetar te verifikimi i titujve të pronësisë, te Lindita Tako, e cila brenda 10 ditësh merr një vendim, të hiqet toka e t’i kaloj shtetit.
Gjyqtari Avni Sejdi, që çfarëdo lloj gjëje mund t’i thuash vetëm gjyqtar jo. Zoti gjyqtar hajde rrëzoje pallatin e jepja tokën shtetit, kur unë kam 26 vjet që e gëzoj atë pronë. Gjyqtari ka marrë një vendim me vdekje për 28 pronarët e tokave.
E.Çobani – Ju i jeni drejtuar gjykatës dhe jeni bërë bashkëpronarë. Përmëndëm të dy kontratat që Selimi ka lidhur me këtë zotërinë dhe që ju me të drejtë i keni nxjerrë të pavlefshme. Kur jeni pajisur me këtë akt-marrje toke Selim?
Selimi – Në vitin 1993.
E. Çobani – Fillimisht e keni patur në përdorim.
Selimi – Nga viti 1993 deri në 1998 e kemi patur në përdorim, pastaj e morëm në pronësi.
Juristja Çobani tregon se pretendohet që më parë janë marrë vendime të gabuara pasi personat nuk kanë patur shumë informacione mbi ligjet, ndaj dhe rishqyrtohen. Sipas ligjit, nëse Komisioni i Pasurive të Paluajtshme e gjen pasurinë në emrin e pronarit të parë mund të ndërmarrë veprim dhe jo kur prona është tjetërsuar, siç ka ndodhur me rastin e familjes Ahmetaj. Pra, shoqëria që ka lidhur kontratën e sipërmarrjes me Selimin dhe bashkëshorten e tij, Zonjën, gëzon titullin e pronësisë tanimë. Zonja Eni shton se nuk mund t’i merret toka pronarit pas 20 vitesh, për më tepër nga po i njëjti institucion që i është dhënë.
Një nga djemtë e Selimit, Gramozi tregon se i kanë dorëzuar gjyqtarit Avni Sejdi një vërtetim ku thuhet se toka e tyre ka mbivendosje dhe se për këto familja Ahmetaj ka kallëzuar penalisht Hipotekën dhe Komisionin e Verifikimit të Titujve në Pronësi në prokurori, duke i kërkuar në këtë mënyrë pezullimin e gjyqit deria prokuroria të marrë një vendim. Por gjyqtari vijoi gjyqin dhe doli me një vendim që ata e cilësojnë si “dënim me vdekje”.
Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” i dha të drejtë fëmijëve të Selimit dhe jo këtij të fundit, i cili ka vepruar i vetëm për fatin e pronës së tyre familjare.