Euro U-17 në Shqipëri, Duka: Shijoni bukuritë e vendit, do e bëjmë të paharrueshëm për pjesëmarrësit

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, në fjalimin e tij para shortit të Euro U-17 “Shqipëri 2025”, deklaroi se ky është një moment i veçantë. Sipas tij, turne nuk është vetëm një garë futbolli, por një festë e vlerave sportive.

Duka deklaroi se Shqipëria do të bëjë gjithçka që ky turne të jetë i paharrueshëm për të gjithë pjesëmarrësit.

Kreu i futbollit ftoi të gjithë që përveç futbollit, të shijojnë edhe bukuritë e Shqipërisë.

Fjalimi i plotë i Presidentit Duka gjatë shortit të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”:


“Të nderuar përfaqësues të federatave, miq të futbollit, të ftuar dhe dashamirës të sportit,

Sot është një ditë e veçantë dhe e mbushur me emocione për të gjithë ne, teksa kemi privilegjin dhe nderin të presim ceremoninë e shortit për finalet e UEFA EURO 2025 për moshat U-17, një kompeticion i cili do të mbahet në Shqipëri nga data 19 maj deri më 1 qershor.

Më lejoni, së pari, të shpreh mirëseardhjen time më të ngrohtë për përfaqësuesit e UEFA-s, federatat e vendeve pjesëmarrëse, trajnerët, lojtarët dhe të gjithë dashamirësit e futbollit që ndjekin me pasion zhvillimin e talenteve të rinj të kontinentit tonë.

Për Shqipërinë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, organizimi i këtij turneu është një dëshmi e përkushtimit tonë për zhvillimin e futbollit dhe ngritjen e tij në nivele ndërkombëtare. Në vitet e fundit, kemi treguar aftësinë tonë organizative me evente të rëndësishme, duke përfshirë finalen historike të UEFA Europa Conference League në vitin 2022 në Tiranë, e cila konfirmoi edhe një herë se jemi në gjendje të realizojmë ngjarje me ndikim dhe emocion të veçantë. Ky sukses na motivon dhe na inkurajon të punojmë edhe më shumë për të siguruar që EURO U17 2025, që do të luhet në Shqipëri 19 maj deri më 1 qershor, të jetë një tjetër moment historik për futbollin shqiptar dhe atë europian.

Prania e Ministres së Arsimit dhe Sporteve në Shqipëri, znj. Ogerta Manastirliu, është dëshmi e rëndësisë dhe seriozitetit që ka ky kompeticion

Federata Shqiptare e Futbollit ka punuar me përkushtim të vazhdueshëm për rritjen e nivelit të futbollit shqiptar. Kemi investuar në akademitë e klubeve, kemi ndihmuar në rritjen e cilësisë së trajningut dhe kemi sjellë projekte të reja për zhvillimin e futbollit të fëmijëve dhe të rinjve. Organizimi i një turneu si UEFA EURO U-17 është një mundësi unike për të dëshmuar progresin tonë dhe për të vazhduar rritjen e futbollit në vend.

Përmes strategjive moderne dhe politikave të qëndrueshme, kemi arritur të rrisim numrin e fëmijëve që aktivizohen në futboll, kemi përmirësuar kushtet e lojës dhe kemi sjellë infrastrukturë bashkëkohore. Stadiumet e reja dhe fushat e standardizuara janë pjesë e një plani afatgjatë për të krijuar një ambient të favorshëm për rritjen e brezave të ardhshëm të futbollit shqiptar.

Ky turne nuk është vetëm një garë futbolli. Është një festë e vlerave sportive, e pasionit dhe e talentit. Jemi të bindur se finalet e EURO U-17 do të jenë një vitrinë fantastike për yjet e së ardhmes së futbollit europian. Shqipëria do të bëjë gjithçka që ky event të jetë i paharrueshëm për të gjithë pjesëmarrësit dhe të dhurojë emocione të papërsëritshme për tifozët.

Gjatë këtij turneu, ju ftoj të gjithëve të përjetoni jo vetëm emocionet e futbollit, por edhe të zbuloni bukuritë e jashtëzakonshme të Shqipërisë. Nga bregdeti i mrekullueshëm i Jonit dhe Adriatikut, tek qytetet historike dhe malet madhështore, vendi ynë ofron një përvojë unike që kombinon sportin me kulturën dhe traditat mikpritëse shqiptare. Jemi të sigurt se do të ndiheni si në shtëpinë tuaj dhe do të largoheni me kujtime të paharrueshme.

Ne besojmë se sporti, dhe veçanërisht futbolli, ka fuqinë të bashkojë njerëzit, të krijojë mundësi dhe të frymëzojë brezat e ardhshëm. Organizimi i këtij turneu na jep mundësinë të tregojmë jo vetëm aftësitë tona organizative, por edhe pasionin dhe dashurinë tonë për futbollin.

Uroj suksese të gjitha skuadrave pjesëmarrëse dhe shpresoj që kjo eksperiencë të mbetet një kujtim i bukur dhe i vlefshëm për të gjithë lojtarët që do të zbresin në fushë dhe ato që do ta ndjekin nga shkallët e stadiumit.

Ju faleminderit dhe mirë se vini në Shqipëri!



Ju sugjerojmë

Para













TE FUNDIT