Përmes avokatit të tij, Ervin Salianji ka kërkuar nga Gjykata e Apelit arsyetimin të vendimit.
Ai është dënuar me një vit burg për kallëzim të rremë lidhur me çështjen Babale.
Përmes një kërkese, avokati i tij shkruan se kërkojnë që të vendoset në dispozicion menjëherë vendimi i arsyetuar në mënyrë që të ndjekim mjetet e tjera procedurale, për aq kohë sa tashmë edhe i dënuari Ervin Salianji ka nisur prej më shumë se një muaji vuajtjen e dënimit me burgim.
KËRKESË
E nderuar Znj. Gjyqtare,
Në datë 26.09.2024, pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është zhvilluar seanca e fundit gjyqësore e çështjes Nr. 55000-00365-30-2020, me të pandehur Ervin Salianji etj., dhe me palë akuzuese Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me akuzë “Kallëzimi i rremë”.
Në përfundim të kësaj seancë gjyqësore është shpallur vendimi me nr. 30-2024-6822, datë 26.09.2024, sipas të cilit është vendosur:
“1. Mospranimi i ankimit të ushtruar nga i pandehuri Fredi Alizoti, ndaj vendimit Nr. 2900, datë 18.12.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
- Lënia në fuqi e vendimit Nr. 2900, datë 18.12.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.
U shpall në Tiranë, sot më datë 26.09.2024”.
Në zbatim të këtij vendimi, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me anë të Urdhrit Nr. _, datë 27.09.2024 Për ekzekutimin vendimit penal Nr. 2900, datë 18.12.2019 “Për ekzekutimin e dënimit të dhënë për të dënuarin” Ervin Salianji, ka urdhëruar ndër të tjera:
“1. Ekzekutimin e vendimit penal nr. 2900, datë 18.12.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili ka marrë formë të prerë më datë 26.09.2024, për të dënuarin Ervin Bujar Salianji, për kryerjen e veprës penale “Kallëzimi i rremë” (kryer në bashkëpunim) parashikuar nga neni 305 e 25 i Kodit Penal.
- Me zbatimin e këtij urdhri ngarkohen:
2.1 I dënuari duhet të vuajë dënimin në masën 1 (një) vit burgim në një burg të sigurisë së zakonshme.
Në kushtet kur hetimi dhe gjykimi i shtetasit Ervin Bujar Salianji është bërë në gjendje të lirë, ngarkohet me ekzekutimin e kësaj pike të vendimit gjyqësor Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë”.
Bashkëlidhur këtij urdhri, na është vënë në dijeni dhe një “Shkurtim Vendimi” i vendimit objekt të kësaj kërkese, akt ky që nuk parashikohet nga K.Pr.Penale.
Në vijim, me shkresën Nr. 21925/IC Prot., datë 27.09.2024 të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me lëndë “Dërgohet njoftim për ekzekutimin vullnetar të vendimit penal”, ku ndër të tjera citohet:
“Bazuar në ligjin nr. 79/2020 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, neni 25 “Njoftimi për ekzekutim vullnetar”, njoftohen për tu paraqitur vullnetarisht, më datë 27.09.2024, ora 17:00, në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me qëllim ekzekutimin e vendimit penal të sipërcituar”.
Në vijim të këtij njoftimi, i dënuar Ervin Salianji, pavarësisht se nuk është njohur ende me arsyetimin e vendimit që la në fuqi dënimin e tij me burgim dhe që e vë në pozita të pabarabarta me organin e akuzës në lidhje me mjetet procedurale që i njeh K.Pr.Penale (rekurs, kërkesë për pezullim), e ka ekzekutuar atë vullnetarisht, fakt ky që provohet nëpërmjet Procesverbalit (Mbi zbatimin e urdhrit të prokurorit, për ekzekutimin e vendimit penal nr. 2900, datë 18.12.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, marrë formë me datë 26.09.2024, për shtetasin/të dënuarin Ervin Salianji) të datës 27.09.2024.
Në lidhje me shpalljen e vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, do i referohemi nenit 430/1 pikat 3 dhe 4 të K.Pr.Penale që parashikojnë se:
“3. Vendimi depozitohet në sekretari menjëherë pas shpalljes. Nëpunësi i caktuar vë nënshkrimin dhe shënon datën e depozitimit.
- Kur vendimi shpallet i përmbledhur, ai arsyetohet brenda 30 ditëve nga shpallja e tij”.
Ndodhur në kushtet që vendimi i sipërcituar nuk u shpall as i arsyetuar e as i përmbledhur, e për më tepër që tashmë ka kaluar dhe afati 30 ditor për arsyetimin e tij nëse do ishte shpallur i përmbledhur, kërkojmë që të na vendoset në dispozicion menjëherë vendimi i arsyetuar në mënyrë që të ndjekim mjetet e tjera procedurale, për aq kohë sa tashmë edhe i dënuari Ervin Salianji ka nisur prej më shumë se një muaji vuajtjen e dënimit me burgim.
Av. Ledio BRAHO