Presidenti truk Erdogan u ka kërkuar të shtunën e 7 Marsit rojeve bregdetare, që të mos lejojnë kalimin e emingratëve sirianë përmes Egjeut, në rast se kjo i rrezikon. Megjithatë Turqia do të vazhdojë t’i lejojë emigrantët të hyjnë në Europë, por jo përmes detit.
“Kjo masë nuk kërkon t’i pengojë emigrantët të lënë Turqinë, sepse rruga tokësore mbetet e vlefshme”, ka saktësuar një burim i rojeve bregdetare.
Rojet bregdetare turke kanë bërë të ditur se kanë shpëtuar 97 emigrantë në rrezik, duke akuzuar Greqinë për përmbysjen e tre varkave të tyre dhe duke i lënë të mbyten, pa ndërhyrë.
Presidenti Erdogan kishte deklaruar disa ditë më parë se Greqia po përpiqej me të gjitha mënyrat t’i pengonte emigrantët që të hynin në territorin e saj, duke shkuar deri tek sulmi me armë, fakt që Athina e ka mohuar.
Ankaraja dhe Athina kanë shkëmbyer vazhdimisht akuza lidhur me çështjen e emigrantëve, që kur Turqia vendosi të hapë kufirin mes dy vendeve dhe presidenti Erdogan njoftoi se nuk të vazhdonte respektimin e marrëveshjes së vitit 2016, për t’i mbajtur emigrantët në Turqi./ Opinion.al