Policia ka arrestuar ditën e sotme në Elbasan Klajdi Dokolin, i cili dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqiri, ngjarje kjo e ndodhur në 15 gusht 2012 në Elbasan.
Arrestimi i Dokolit është bërë pasi gjykata ka vendosur të caktojë masën e sigurisë arrest në burg. Dokoli në periudhën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë banor i lagjes ku jetonin Gentian dhe Nezir Beqiri.
Dokoli është mik i Çapajve, dhe sipas hetimeve ai vëzhgonte me imtësi personat që vizitonin familjen Beqiri, dhe më pas informonte anëtarët e familjes Çapja.
Arrestimi i Klajdi Dukoli është realizuar pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Ervis Bardhi.
Ervis Bardhi, i penduari i policisë ka përmendur emrin e Klajdi Dukolit si person që përpara vrasjes, deri në momentin e kryerjes së saj ka qenë në rolin e informatorit dhe vëzhguesit, në emër të familjes Çapja.
Ervis Bardhi dhe Etjen Cani dyshohet se kanë qenë personat e vetëm që kishin akses për të hyrë tek familja ku edhe u realizua vrasja. Etjeni Cani nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer vrasjen. Sakaq veprimet janë kryer nga një grup i posaçëm, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë se Shtetit.