Policia e Shtetit ka zbardhur tentativën e vrasjes së 41-vjeçarit, Edison Begaj, në fshatin Kaninë, të Vlorës. Ngjarja ndodhi në 29 maj të këtij viti.
Ndërkohë policia ka bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Ai është Mitri Prifti, 36 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
36-vjeçari dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. B, 41 vjeç, i cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.