Policia njoftoi ditën e sotme se ka arrestuar Erion Alibej, i cili ka porositur vrasjen e Emiljano Ramazanit e Regis Runajt, ngjarje të ndodhur në muajin korrik të këtij viti.
Mësohet se Alibej, ka një të shkuar kriminale dhe është i përfshirë në trafikun e drogës, ndërsa dyshohet se kishte lidhje me trafikantë ndërkombëtar droge dhe cilësohej person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Erion Alibej përdorte dhe dy emra të tjerë Erion Dylgjeri dhe Andrea Alibej. Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibej (Dylgjeri), i cili ishte objektivi i një atentati me armë që përfundoi në masakër ditët e fundit të dhjetorit 2018.
Në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, atë natë, mbeti i vrarë edhe xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durnay. Mbi automjetin luksoz “Range Rover-it”, u derdh një breshëri plumbash kallashnikovi. Ngjarja dyshohej se ishte për larje hesapesh për shkak të prishjes së e pazareve të drogës në Angli apo Holandë.
Erion (Andrea) Alibej, së bashku me vëllain e tij, Endrit Alibej u arrestuan më 4 qershor 2013 nga autoritetet italiane në kuadër të operacionit të koduar “Cocash”.
Në kuadër të këtij operacioni u goditën në 2013, dy grupe shqiptarësh, me 3 anëtarë që vepronin në Francë dhe pjesën tjetër që vepronte në Itali dhe drejtohej nga vëllezërit Alibej.
Në atë kohë, mediat lokale italiane shkruanin se rreth 300 policë nga provinca e Astit të mbështetur edhe nga Komandat e gjithë Legion Piemonte dhe Valle d’Aosta, me ndihmën e një helikopteri, organizuan një operacion të madh antidrogë duke çuar në pranga 31 persona, ndaj të cilëve ishin lëshuar urdhër-arreste nga gjykata.
Hetimet ndaj organizatës nisën në maj të vitit 2011, fillimisht ndaj një grupi të tregtarëve të vegjël të drogës në Asti dhe Torino. Kjo u lejoi hetuesve të hidhnin dritë mbi aktivitetin e paligjshëm të një grupi të madh të kokainës, pjesëtarët e të cilës ishin nga Shqipëria. Mediat italiane shkruajnë se rrjeti kishte anëtarët e vet shqiptar në Holandë, Gjermani, Belgjikë dhe Britani të Madhe.
Në aktivitetin e tyre kriminal grupi i vëllezërve Alibej përdornin pseudonime si Tarzani, Tino, Ciçio, Bimbo, ndërsa në gjuhën e kriptuar kokaina identifikohej me fjalën “foto”./ Opinion.al