Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike.
Kryetari i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana në një deklaratë për mediat, është shprehur se deri në orën 17:00 kanë votuar rreth 13 700 anëtarë të PD-së.
“Bazuar në të dhënat që kemi grumbulluar deri në orën 17:00, pas orës 17 :00 kishte një fluks në rritje. Me të dhënat e orës 17:00 shifra është, 13 700, me 54% pjesëmarrje. Nuk ka pasur probleme ka qenë ditë e qetë votimesh”- tha Gjana.
Ndërkohë sipas raportimeve 8 deputetë demokratë përveç Lulëzim Bashës, që ishte pjesë e garës, kanë marrë pjesë në votim.
Mësohet se pjesëmarrës kanë qenë vetëm Kreshnik Çollaku, Eralda Bano, Merita Bakiu, Flutura Açka, Orjola Pampuri, Arbi Agalliu, Enkelejd Alibeaj dhe Selaudin Jakupllari, Lulzim Basha.
Të gjithë deputetët e tjerë të PD, përfshirë Gazment Bardhin apo Jorida Tabakun, e kanë bojkotuar këtë proces, duke e konsideruar si anti-statutor dhe kanë mbështetur vendimin e Këshillit Kombëtar të PD për anullimin e zgjedhjeve./Opinion.al