Aktualitet

Emrat/ KLP cakton drejtuesit e Prokurorive në Tiranë dhe Durrës


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 14:10 - 25/05/21 |
Opi Nion

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar ditën e sotme një mbledhje online, ku janë vendosur drejtuesit e prokurorive në disa rrethe. Kështu, Genti Zholi do të jetë drejtuesi i ri i Prokurorisë së Apelit në Tiranë ndërsa Anita Jella drejtuese e Prokurorisë të Shkallës së Parë në Durrës.

“Në përfundim të procedurave për ngritjen në detyrë në pozicionin e Drejtuesit në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Këshilli vendosi unanimisht të caktojë znj.Anita Jella në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës dhe z. Genti Xholi në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë për një periudhë 3 (tre ) vjeçare nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e KLP.

Vendimet që u morrën nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mbledhjen e sotme ishin:

1- Këshilli vendosi ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë të prokurorit z. Sali Hasa, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Sarandë.  Gjatë procedurës së verifikimit, kandidati Sali Hasa ka depozituar kërkesën dt. 10.05.2021, drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në të cilën i ka kërkuar Këshillit, heqjen dorë nga kandidimit për arsye shëndetësore.

2- Pasi u njoh me vendimin e arsyetuar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit  (KPA) drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, me të cilin është vendosur ndryshimi i vendimit nr. 173, datë 01.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimi nga detyra i subjektit të rivlerësimit Artan Madani, Këshilli vendosi me shumicë votash, ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë të prokurorit z. Artan Madani, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kavajë.

Gjithashtu, Këshilli vendosi unanimisht përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë për pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kavajë.

3- Si rezultat i dorëheqjes së kandidatit të vetëm ne garë, z. Gentian Habazaj, Këshilli vendosi ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë për pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat.

4- Pasi u njoh me relacionin mbi verifikimin e pasurisë dhe figurës për prokurorin Albert Murçaj, kandidat për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër, Këshilli vendosi të vlerësojë të përfunduar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës për prokurorin Albert Murçaj dhe të lejojë kandidatin të vijojë me procedurat e mëtejshme të ngritjes në detyrë për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Shkodër.

5- Me shumicë votash, Këshilli vendosi miratimin e raportit për analizimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit kalimtar, prokurorit Saimir Bahiti. Një kopje e këtij raporti i dërgohet menjëherë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK)  dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).

6- Këshilli vendosi me 10 (dhjetë) vota pro, miratimin e relacionit për fillimin e procedurave për plotësimin e pozicionit vakant të Këshilltarit për Etikën pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Këshilltari për Etikën shërben me kohë të pjesshme për një periudhë pesë vjeçare, duke filluar nga data e emërimit, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Gjatë periudhës që do të shërbejë si Këshilltar për Etikën. Ulja e ngarkesës do të vendoset në bashkërendim me drejtuesin e prokurorisë nga ku vjen kandidati për Këshilltar për Etikën.

7- Këshilli vendosi unanimisht të caktojë znj. Anita Jella në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës dhe z. Genti Xholi në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë për një periudhë 3 (tre ) vjeçare nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Sot, me emërimin e të dy drejtueseve, Këshilli vendosi të ndërpresë caktimet e përkohshme si drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë. Deri tani, Këshilli ka arritur të emërojë në detyrë 4 (katër)  Drejtues prokurorie; në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë; në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë; në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës.

8- Në përfundim të mbledhjes, shorti ka caktuar si relator për procedurën e ngritjes në detyrë për pozicion vakant të Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, zotin Vatë Staka.

 

 

Pas