Dy persona janë arrestuar dhe 14 të tjerë janë nën hetim pas përplasjeve dhe konflikteve fizike të një dite më parë në Elbasan, në prag të ndeshjes Partizani-Tirana.
Të arrestuarit janë Stiven Vojka 28 vjeç dhe Kevin Beqiraj 19 vjeç. Si pasojë e trazirave janë dëmtuar tre persona, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasit S. V., 28 vjeç dhe K. B., 19 vjeç, banues në Tiranë, si dhe kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë 14 shtetas të tjerë. Arrestimi dhe procedimi i këtyre shtetasve u bë pasi në lagjen “Luigj Gurakuqi”, bulevardi “Aqif Pasha”, Elbasan, këta shtetas, si tifozë të ekipeve të futbollit Tirana dhe Partizani janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, duke përdorur sende të forta, dhe për pasojë janë dëmtuar 3 shtetas, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu është dëmtuar me sende të forta (gurë) një lokal në pronësi të shtetasit A. M.”, njoftoi policia./Opinion.al