Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës pasi kanë vjedhur një makinë, e kanë çmontuar në pjesë dhe më pas i kanë shitur.
Në pranga kanë rënë Xhuljano Sorra, 29 vjeç dhe Ahmet Musaogullari, 26 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, të kryer në bashkëpunim.
“Këta shtetas, më datë 24.01.2023, kanë vjedhur një automjet tip “Benz”, në Laprakë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit Xh. S. dhe A. M., pasi kanë vjedhur automjetin, e kanë çmontuar atë dhe pjesët e tij i kanë shitur në pika shitjesh për pjesë të përdorura automjetesh. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celulare, një pajisje DVR me pamje filmike, si dhe pjesë të ndryshme të automjetit të vjedhur”,-njofton Policia./Opinion.al