Ishte viti 2016 kur sipërmarrësi me origjinë nga Tepelena, Elton Ilirjani vendosi të deklaroj se orientimi i tij seksual ishte për gjininë e njëjtë. Që prej asaj dite ai ka qenë në qendër të vëmendjes mediatike, jo vetëm për të treguar historinë e tij, por gjithashtu për të dhënë mendime rreth çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me komunitetin LGBT.
Megjithatë një deklaratë e tij e pak kohëve me parë në media ka shkaktuar shumë konflikte me të, sidomos me pjesëtar të këtij komuniteti. Ai është shprehur se nuk është pro martesa gay dhe gjithashtu se është tërësisht kundër adoptimit të fëmijëve.
Sipas tij çdo fëmijë ka të drejtë të ketë dy figurat prindërore, një mama dhe një baba. Mirëpo pas kësaj deklarate Eltoni ka deklaruar se ka marrë shumë kërcënime, fyerje dhe madje është quajtur edhe ‘homofob’. Në këtë interviste dhënë për ‘Opinion.al’, Ilirjani shpjegon në çfarë ka ndodhur që nga ai moment e deri tani. Kush po e kërcënon Ceo-n e The HeadHunter Group? Si i është përgjigjur ai këtyre kërcënimeve si dhe cilat janë masat që ka marrë?
Deklarata juaj rreth faktit që jeni kundër birësimit të fëmijëve duket se nuk është pritur mirë nga personat të komunitetit LGBT në vendin tonë dhe jo vetëm, konkretisht çfarë ka ndodhur gjatë kësaj periudhe?
Deklarata ime e para disa ditëve në një nga emisionet televizive në Shqipëri ka pasur shumë reagime në publikun shqiptar. Madje mund të thuhet se reagimet kanë ardhur jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga Kosova dhe Maqedonia. Unë, në asnjë moment gjatë intervistës sime, nuk thashë se përfaqësoja komunitetin LGBT në Shqipëri apo më gjerë, unë thjesht shpreha mendimin tim personal, se unë nuk besoj për veten time në martesat në përgjithësi, si ato jo-LGBT dhe ato LGBT. Mbi të gjitha thashë se unë si Elton Ilirjani, nuk mund të bëj dot rolin e nënës, dhe kësaj unë i qëndroj sërish. Nuk jam në gjendje të bëj rolin e nënës. Këtë rol se bëjnë dot femrat në Shqipëri dhe më imagjinoni mua të kem rolin e një nënë. Do ishte diçka që jo vetëm nuk do e bëja dot, por nuk do ishte edhe shumë e kuptueshme për realitetin tonë, në një vend ku ka shumë probleme të tjera më të mëdha, ku ka diskriminim ekzistencë dhe dhunë të madhe kundër femrës, pjesës më të mirë të shoqërisë sonë.
Ndodhen shumë gjëra të papritura për mua, shumë portale dhe faqe në Facebook apo Instagram të menaxhuara nga individë që kanë edhe profile jo-reale, filluan të më shajnë dhe të më ofendojnë me fjalët më të tmerrshme (nën siglën e LGBT). Madje disa në inbox shkuan aq larg sa më përmendën edhe termin ‘Gay-Mafia’ dhe video me mesazhe që edhe ndoshta mund të më eleminonin fizikisht. Pati edhe kërcënime nga disa azil-marrës që jetojnë sa në Australi apo gjetkë se do më denonconin në organizata jashtë Shqipërisë sepse unë jam homofob dhe se kam kërcënuar të drejtat e LGBT në Shqipëri…Çudira dhe reagime skandaloze.
Në disa raste edhe video të montuara ku thuhet që unë gjoja kam pranuar që jam homofob dhe se jam provincial dhe të tjera batuta që unë jam jo i zoti të gjej të dashur dhe se prandaj kam mbetur vetëm dhe prandaj jam kundër martesave gay. Në disa komente më quajnë “Plakë e Ligë” dhe xheloze. Çudira, çudira…
Përse mendoni se ka ardhur një sulm i tillë ndaj jush?
Këto sulme janë të qarta që bëhen kryesisht nga xhelozia, injoranca dhe dashakeqësia. Nuk ka asnjë arsye tjetër.
Unë si çdo njeri i lirë kam të drejtën e fjalës se lirë dhe për këtë gjë askush nuk mund të më ndalojë, as personat jo-gay dhe ata gay. Unë kam mendimin tim dhe kujdesem që mendimet e mia t’i them me kujdes dhe mos të nxis diskriminim dhe as urrejtje. Në asnjë moment nuk kam diskriminuar komunitetin LGBT sepse do ishte qesharake sepse unë jam vetë pjesë aktive e këtij komuniteti dhe unë mendoj që unë rris vlerat këtij komuniteti jo vetëm në Shqipëri, por edhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Xhelozia e këtyre personave që gjithashtu nuk përfaqësojnë komunitetin lind nga fakti që këta persona janë askush dhe janë persona që e kalojnë kohën online duke ngacmuar persona të tjerë dhe duke shikuar mundësitë të bëjnë thjesht seks dhe të “ngacmojnë” djem të rinj që nuk janë pjesë e komunitetit, janë persona pa integritet dhe e kanë mendjen vetëm të një gjë. Unë ndryshoj shumë nga ata, duket edhe nga fjalori i përdorur sepse sillen si aktorë filmash porno dhe fotot e tyre në profilet e tyre jo-reale janë shumë ngacmuese dhe thjesht përkeqësojnë imazhin e LGBT, sepse këta janë një pakicë e keqe dhe jo-reale brenda komunitetit tonë sepse nuk përdorin imazhe reale dhe në këtë rast nuk ke se çfarë pret prej tyre.
Disa prej këtyre personave u intereson që ta paraqesin situatën në Shqipëri si shumë të keqe për personat LGBT (jo se është më e mira në fakt) sepse mendojnë të përfitojnë përkrahje të pamerituar dhe disa ja kanë arritur ta bëjnë këtë gjë duke fituar azil të pamerituar dhe e nxijnë imazhin e Shqipërisë nëpër botë. Unë njoh shumë nga këta persona që shiten sikur po vuajnë dhe ndërkohë e kanë kthyer në biznes këtë punë dhe tërheqin edhe persona jo LGBT që të hiqen të tillë dhe gjoja vuajnë për të fituar azil në vendet perëndimore… unë nuk kisha folur kurrë për këto tema, por ja që erdhi momenti që të bëhet një katarsis edhe në komunitetin LGBT dhe ata që e drejtojnë këtë komunitet të mbajnë një qëndrim të qartë se nuk i përkrahin këta sharlatan që janë thjesht persona perverse dhe mashtruesa, dhe që nuk kanë lidhje fare me botën LGBT, atë realen. Kush ka thënë që të jesh LGBT duhet të jesh gjithmonë në kërkim të ndryshimit të partnerve?
Kush ka thënë që të jesh LGBT duhet të jesh patjetër me megafonë në rrugë dhe të kërkosh të detyrosh personat jo-LGBT të mendojnë si ty? Se duhet të bësh personat jo-LGBT të mendojnë se edhe ata duhet të provojnë? Çfarë janë këto ekzagjerime? Ku është liria e personave jo-LGBT? Edhe ata duhet të kthehen me patjetër në biseksuale? Pse paskam unë faj që nuk ndryshoj partnere dhe nuk i gjej si thonë këta? Që duhet me patjetër të hyjë në këto aplikacionet e kërkimit të partnereve seksuale? Dokra… Shumica e komunitetit LGBT në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni janë njerëz të nderuar dhe të kujdesshëm, kanë partnerë fiks, dhe nuk eksperimentojnë me jetën e tyre dhe gjithashtu kryejnë kontrollet shëndetësore në mënyrë periodike…Pra shumica nuk është kjo pakicë negative dhe perverse dhe ofenduese brenda komunitetit… Imagjinoni se çfarë urrejtje kanë këta për personat jo-LGBT sepse ata mua që jam pjesë e komunitetit mu kthyen në mënyrë të pashpirt dhe ofenduese dhe kërcënuese…si mund të negociojnë këta çështjet komunitetit me pjesën tjetër të shoqërisë?
Jeni ndjerë i kërcënuar vetëm verbalisht apo ka pasur kërcënime edhe më të rënda?
Kërcënimet kanë qenë të shumta, kanë qenë me shkrime në inbox, në faqet e tyre private dhe në faqet e disa “organizatave” që në fakt nuk janë të tilla, por të menaxhuara nga persona që e heqin veten si pjesë e komunitetit. Madje disa nga këto faqet që shkruanin edhe pasi unë i kontaktova nuk pranuan të ndryshojnë emrat e tyre, sepse në disa raste kishte fjalë ofenduese për vete komunitetin, si një faqe në Facebook që vetë quhet “Dylbërizëm” që edhe pse ju shpjegova që ka kuptim negativ mu kthyen me arrogancë dhe më thanë:“e dimë por ne duam të ndryshojmë botëkuptimin e personave jo-LGBT”, hajde dhe merre vesh, në këtë mënyrë vetë-diskriminohen.
Kërcënimet kanë qenë të tipit do të të rrahim, zhdukim, do të të denoncojmë në organizata ndërkombëtare sepse je homofob, edhe në fakt unë nuk mendoj që këtu kishte vend për homofobi, por ishin thjesht mendime të miat nga brenda komunitetit duke i parë gjërat nga një këndvështrim tjetër, ndoshta pak konservatore, por në thelb të njëjta me pjesën me të madhe të komunitetit në realitetin tonë.
Çfarë masash keni marrë?
Çfarë masash të marrësh më këtë tufë arrogante njerëzish që nuk kane lidhje me LGBT? Këta janë rrugeçër dhe asnjë gjë më pak apo më shumë. Si edhe në përgjithësi në shoqërinë njerëzore ka grupe njerëzish jo-LGBT që janë thjesht rrugeçër dhe perverse edhe brenda komunitetit tonë kanë të tillë. Thjesht duhet të ndahen nga dinjitozet e LGBT dhe ata që janë seriozë për kauzën dhe që nuk i krijojnë probleme apo konflikte kauzës.
Asnjë masë nuk marr dot sepse jam duar lidhur dhe gojëkyçur sepse nëse i denoncojë do viktimizohen se janë jo-të-lirë në Shqipëri apo Kosovë dhe Maqedoni dhe na largohen dhe nuk dua ta mbush perëndimin me perversë të tjerë, ndoshta në këtu mund t’i edukojmë si po bëjmë tani me këtë shkrim, që të mund t’i ndërgjegjësojmë dhe tu themi që të jesh LGBT nuk do të thotë ta kesh mendjen vetëm te seksi dhe të ngacmosh njerëzinë në rrugë.
Asnjë masë vërtetë…Zoti të më mbroje se ka disa që janë edhe të dhunshëm dhe më kanë kërcënuar që do kem fatin e Gianni Versace.
Pas qëndrimeve tuaja ka pasur vetëm sulme, apo keni mundur të flisni me përfaqësues të komunitetit?
Më thoni ju kush e drejton këtë komunitet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni? Kush janë këta? Nuk ka drejtues fare. Po të kishte do kishin mbajtur qëndrim ne favorin tim sepse këta njerëz e dinë se sa investoj unë me paratë e mia për këtë komunitet. Nuk ka sepse janë dritëshkurtër dhe janë zgjedhur aty vete, ose kanë dalë vete për arsyet e tyre që i dinë mirë, unë kam dalë me paratë e mia dhe po bëj një punë kolosale duke ndryshuar mentalitetin e biznesit. Jemi dy botë të ndryshme, unë i qetë dhe me kujdes duke ndryshuar mentalitetin e shqiptarëve me shumë kujdes dhe këta duke u imponuar me dhunë në disa raste. Unë jua di mendjen shqiptarëve, ata të pranojnë kur ti nuk ju kërcënon atyre jetën e tyre dhe familjen e tyre, nuk kam pse të zgjedh rrugën e britmave dhe arrogancës dhe debateve, kam zgjedhur një rruge të qetë dhe të zgjuar dhe që në fund rezulton më e suksesshme.
Jo vetëm që nuk më kane përkrahur këta persona, por edhe ju bëjnë “like” komenteve të këtyre të pafytyrëve sidomos në Kosove që janë edhe më arrogantë dhe agresivë, sepse nuk e di se çfarë i ka gjet atje që janë kaq arrogante dhe ekspresive, ndoshta kanë nevojë për viza që të ikin?
Madje një ish-drejtues i LGBT që jeton tashmë në Kanada fillimisht vendosi të dashurin e vet të më ofendojë dhe pastaj shkruajti edhe ai vetë në faqen e tij në Facebook se unë isha një e keqe e madhe, budalla dhe isha baraz me 100 Mesila Doda. Pse çfarë të keqe ju ka bërë këtyre Mesila Doda? Asnjë gjë! Madje ajo ka votuar edhe ligjin për anti-diskriminimin dhe madje ajo ka punësuar edhe një nga drejtueset e sotme të komunitetit te LGBT në punën e saj të parë në institucionin që sot quhet AMA, në kohën kur ajo e drejtonte atë institucion. Pra, pse qenka Mesila Doda një homofobe kur ajo ka me dhjetëra miq gay dhe unë kam një marrëdhënie pozitive me atë? Mos ndoshta Mesila Doda që është një Zonjë e Nderuar u tërhoq në një debat thjesht personal duke u ofenduar nga ky djali që të mund ta përdorte ky djali për të fituar azil jashtë Shqipërisë? Pse ky djali që qenka vetësakrifikuar për LGBT iku dhe mblodhi plaçkat nga Shqipëria për një jetë më të mirë? Pse nuk qëndroi në Shqipëri të vazhdonte betejën e vet? Pse ky djali flet kundër meje tani? Çfarë i kam bërë unë? Do të fitoje diçka nga unë tani? Nga debati me mua? Jo e kanë gabim, unë nuk jam rast i thjesht për ata, unë vet jam pjesë e komunitetit dhe ata nuk e zhbëjnë dot këtë gjë, ku ishin ata kur unë deklarova hapur orientimin time seksual në vitin 2016? Pse nuk më strehuan edhe mua në “sheltërin” e tyre por unë ika jashtë Shqipërisë? Foli ky djali dhe kjo vajza qoftë edhe një fjali për mua? Jo patjetër që jo, ata nuk donin që unë të deklarohesha, nuk e pritën mirë, por me Mesila Dodën merren dhe e përgojojnë kot se koti, e përsëris një Zonjë e Nderuar në punën e vet dhe në mbrojtje të atdheut tonë, me atdhedashuri. Apo sipas këtij djalit dhe kësaj vajzës, rëndësi ka që të jemi vetëm LGBT dhe jo atdhetarë? Apo thjesht orientimi ka rëndësi dhe tashmë duan ta kthejnë në profesion?
Po nga persona që nuk janë të komunitetit LGBT keni ndjerë kërcënime?
Më parë po, në vitin 2016 kur bëra edhe deklaratën e parë kam pasur kërcënime të vazhdueshme, por ja kam dale mbanë sepse edhe ata e kanë parë që unë nuk ju pengoj asnjë gjë në jetët e tyre, përkundrazi unë kam investimin tim pozitiv në jetën ekonomike të vendit tonë. Madje tani kam fituar respektin e personave jo-LGBT që janë edhe shumica e shoqërisë shqiptare dhe ata më falenderojnë për punën që bëj në profesionin tim, duke punësuar sa më shumë shqiptare dhe duke jua bërë jetën edhe me të lehtë. Ata nuk më shohin si Eltoni Gay, por si Eltoni që ka një profesion të caktuar. Këtë kam dashur të arrij në fund të fundit, që të kem një profesion dhe një pune të ndershme dhe të ndihmoj me sa të mundem.
Kanë ndikuar këto kërcënime në përditshmërinë apo rutinën tuaj?
Këtu do përgjigjem shkurt dhe qartë: ASPAK
E mendoni një kthim tani afër në Shqipëri pas këtyre kërcënimeve?
Mendoj se mund të kthehem për një vizitë të shkurtër gjatë muajit Qershor, por vetëm për pak ditë. Unë tashmë punoj jashtë vendit duke u përpjekur që bizneset e mia të jenë të suksesshme dhe të nderoj Shqipërinë tonë të dashur. Atdheu mbi të gjitha dhe unë e besoj shumë këtë, pasi vij nga një familje patriotike Shqiptare nga Tepelena.
Ka pasur persona konkret pas këtyre kërcënimeve, apo kanë qenë anonime?
Ka pasur edhe konkrete, si ky djali ne Kanada që më ofendoi, pra ky ish-drejtuesi i një organizate, dhe një djalë tjetër nga Kosova që pasi kishte jetuar ca kohë në New York paska shkuar në ngarkim-shkarkim në Australi. Më duket se ky djali tjetër do ketë përfituar nga kjo skema e “vuajtjes” me pak mashtrim brenda.
Keni dëgjuar raste të ngjashme me tuajin që kanë marrë kërcënime si ju për mendimet lidhur me këto çështje?
Nuk ka të drejtpërdrejta sepse kanë frike të dalin hapur. Kanë frikën e familjeve dhe shoqërisë në radhe të parë, pastaj kanë edhe frikën e këtyre hienave që shpenzojnë fondet sepse mund t’ju sillen njësoj si në rastin tim. Pra edhe qëndrimet e këtyre që gjoja drejtojnë janë shumë të dëmshme për personat që ende nuk flasin hapur orientimin e tyre seksual. Ku do e gjejnë mbrojtjen? Personat që janë në komunikim me mua janë me të shumtë në numër. Ne punësojmë 150 persona LGBT çdo vit, kurse ky djali dhe kjo vajza as nuk i mbledhin dot për 5 vite radhazi 100 persona LGBT, sepse i ndjekin vetëm disa persona që nuk kanë bukë të hanë dhe tek-tuk ndonjë rast i hedhur tutje nga familja. Kaq, unë kam grupin e vërtetë të LGBT pas vetes sime dhe persona të nderuar që nëse do deklarohen hapur një ditë do ndryshojë dhe imazhi i LGBT në Shqipëri.
Personat që ju kanë kërcënuar ju kanë kërkuar të ndryshoni qëndrimet tuaja në media?
Ata janë persona pa vlerë përfundimisht, dhe nuk mund të më ndryshojnë mua pikëpamjen time. Unë në fillim nuk e prisja, por më pas mendova që kjo është një sjellje normale e tyre, mbushur me xhelozi, dashakeqësi dhe injorancë…
Keni një mesazh për të gjithë personat që ndajnë të njëjtat mendime si ju apo edhe të ndryshme, të vazhdojnë t’i shprehin?
Të gjithë kanë të drejtën e fjalës së lirë. Është liri themelore. Unë kam të drejtën time themelore dhe do e përdorë gjithmonë. Të jetojmë të lirë, të mos imponojmë, të mos debatojmë pa arsye dhe të mos përplasemi me pjesën tjetër të shoqërisë. Personat që nuk janë LGBT kanë të drejtën e tyre të mendojnë jetën ndryshe, ata që besojnë në Zot dhe janë besimtare kanë të drejtën e tyre themelore të besimit dhe ne nuk duhet ti ngacmojmë, si edhe ata duhet të respektojnë të drejtën tonë për të qenë ndryshe. Pra me pak fjalë, unë do i sugjeroja edhe këta që gjoja janë drejtues të komunitetit LGBT në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, para se të bërtasin kundër meje, të lexojnë edhe një personalitet të nderuar të LGBT në botë, Z. Andrew Sullivan dhe kanë për të kuptuar më shumë qëndrimin tim dhe se ku po i çon kjo rruga e konfliktit me personalitete të jetës politike dhe shoqërore në Shqipëri, siç mund të jenë edhe drejtuesit e qeverive shqiptare që t’ju them të drejtën kanë qenë shumë dashamires me kauzën tonë në përgjithësi. Shoqëria shqiptare mund të ketë probleme, por me komunitetin LGBT nuk është se ka qenë aq keq sa në vendet e tjera të rajonit, merrni për shembull rastin e Malit të Zi apo Serbisë./Xh.K/Opinion.al/