Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, ka njoftuar se e ka formuar “Partinë Amerika”.
Vendimi për hapjen e kësaj partie, u bë një ditë pasi ai i pyeti ndjekësit e tij në X nëse duhet ta formojë një parti të re për skenën politike amerikane.
“Me një raport, 2 me 1, ju doni një parti të re dhe duhet ta keni. Sot, Partia Amerika është formuar për t’ua kthyer lirinë”, ka shkruar ai.
Kjo parti, sipas Muskut, do të sfidojë si Republikanët ashtu edhe Demokratët. Deri të shtunën në mëngjes, mbi 65% e rreth 1.25 milionë pjesëmarrësve votuan “po” formimit të saj.
Vendimi i Muskut u bë publik pasi presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi të premten një ligj me të cilin parashihen ulje të mëdha të taksave, e që është kundërshtuar ashpër nga themeluesi i “Teslas”.
Musk madje kërcënoi se do të financojë kundërshtarë politikë për çdo anëtar të Kongresit që votoi për këtë ligj. Ai tha se do të krijojë partinë “America Party” nëse ligji miratohej. Dhoma e Përfaqësuesve miratoi ligjin me 218 vota pro dhe 214 kundër.
Vetëm dy republikanë iu bashkuan demokratëve në përpjekjen për ta bllokuar. Në Senat, ndodhi barazimi 50-50, dhe zëvendëspresidenti JD Vance votoi për të vendosur në favor të ligjit. Trump e nënshkroi të premten.
Vetë Musk ka ndihmuar me qindra miliona euro fushatën e Trumpit për t’u rizgjedhur president. Ai udhëhoqi pak kohë edhe Departamentin e sapokrijuar për Efiçiencë Qeverisëse (DOGE) nën administratën Trump, me qëllim reduktimin e shpenzimeve, por dyshja pati përplasje të ashpra më vonë.
E më herët gjatë ditës, The Guardian në një analizë vuri në pah se partia e Muskut do të mund të përqendrohet në disa pozita të rëndësishme në Senat dhe Dhomë të Përfaqësuesve, me qëllim që të sigurojë ndikim në vendimet e rëndësishme.