Drejtori ekzekutiv i kompanisë Tesla, Elon Musk, tha të martën se do të heqë ndalimin e vendosur në Twitter ndaj ish-Presidentit Donald Trump. Ai e bëri deklaratën gjatë konferencës “E ardhmja e makinave”, të organizuar nga gazeta “Financial Times”.
Zoti Musk, i cili e ka quajtur veten “një absolutist të fjalës së lirë”, apo mbrojtës i paepur i amendamentit të parë, arriti rishtazi një marrëveshje për ta blerë këtë platformë të medias sociale me një çmim prej 44 miliardë dollarësh.
Vendimi për ndalimin e ish-Presidentit Trump nga Twitter-i nuk e heshti atë, madje i përforcoi pikëpamjet e tij në radhët e atyre që i përkasin kahut të djathtë në politikë, tha zoti Musk, duke e quajtur masën e ndalimit “moralisht të gabuar dhe krejtësisht të trashë”.
Ish-Presidenti Trump u pezullua në mënyrë të përhershme nga platforma Twitter, pak pas trazirave të 6 janarit në Kapitol. Ndërsa bëri të ditur vendimin, kompania Twitter citoi “rrezikun për nxitje të mëtejshme të dhunës”./ VOA