Kronikë

Ekzekutoi të riun me plumb në kokë, arrestohet 29-vjeçari


               Publikuar në : 16:19 - 12/07/19 |
Opi Nion

Policia e Shkodrës ka arrestuar një 29-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim për vrasje.

Artan Koçeku më 17.12.2017 ka ekzekutuar me armë zjarri shtetasin Angjelin Shkambi. 35-vjeçari u gjet i vrarë brenda makinës së tij në afërsi të varrezave të Stom Golemit. Sipas Prokurorisë së Shkodrës, vrasja kishte ndodhur për një borxh 30 mijë, ndërsa viktima dhe autori ishin miq.

Ndërkohë, në momentin e kapjes nga Forca e Posaçme “Shqiponjat”, 29-vjeçari ka tentuar të largohet me vrap, por nuk ka mundur t’u shpëtojë efektivëve.

Në lidhje me vrasjen e ndodhur në vitin 2017, Koçeku është dënuar nga Gjykata me masën e sigurisë “arrest në burg”.

Po ashtu, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “pistoletë” dhe një krehër me fishekë që i përkiste një arme tjetër zjarri tip “pistoletë”.

Mësohet se, Koçeku në vitin 2018 është përfshirë në një konflikt me armë, dhe gjatë ndjekjes nga Policia, ka braktisur mjetin në fshatin Shtoj i Ri dhe ka mundur të largohet.

Njoftimi

Finalizohet me sukses operacioni i koduar “IRON HAND”

Kapet dhe ndalohet një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për vrasje, i cili qarkullonte me armë zjarri me fishek në fole, autor i ngjarjes së ndodhur më datë 17.12.2017 ku ka mbetur i vrarë shtetasi A. Sh.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim,  falë informacioneve të mara në rrugë operative dhe një pune të mirëorganizuar, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “IRON HAND”, ku si rezultat është kapur dhe ndaluar shtetasi:

Artan Koçeku 29 vjeç, banues në fshatin Pog, Shkodër.

Ky person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në momentin e kapjes nga Forca e Posaçme “Shqiponjat”, ka tentuar të largohet me vrap, por është neutralizuar dhe shoqëruar në ambientet e  D.V.P Shkodër. Për këtë shtetas në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 17. 12. 2017, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonte, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “pistoletë” me fishek në fole dhe një krehër me fishekë që i përkiste një arme tjetër zjarri tip “pistoletë”.

Gjithashtu, në automjet së bashku me këtë person, ka qenë edhe shtetasi  Rr. D.,  24 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” .

Përmbledhja e ngjarjes së ndodhur:

Shtetasi Artan Koçeku i cili ka përfituar leje shpërblimi nga burgu i Peqinit ku vuante dënimin për ngjarjen e ndodhur në vitin 2013, për veprën penale “Vjedhja me armë”, nuk u paraqit në vendin e vuajtjes së dënimit në ditën e caktuar. Gjatë kësaj kohe me datë 17.12.2017, ky person ka vrarë me armë zjarri shtetasin A. Sh.  35 vjeç, banues në Pulaj, Velipojë, Shkodër.

I njëjti person në vitin 2018 është përfshirë në një konflikt me armë, dhe gjatë ndjekjes nga Policia, ka braktisur mjetin në fshatin Shtoj I Ri dhe ka mundur të largohet.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”./ Opinion.al E.Xh.

Pas