Mbi 130 persona janë vrarë gjatë një sulmi në një fshat në Mali. Sulmi u krye nga persona të armatosur e të veshur si gjuetarët “Dogon”, një grup etnik në Mali.
Mësohet se personat e armatosur kishin rrethuar fshatin në mënyrë që askush të mos largohej dhe më pas kanë vijuar me sulmin e tyre në Ogossagou, në rajonin e Moptit.
Sulmi ka pasur në objektivë pjesëtarët e komunitetit etnik Fulani, të cilët akuzohen se kanë lidhje me xhihadistët. Ky sulm u zhvillua në të njëjtën ditë kur ambasadorët e OKB kishin mbërritur në Mali për të dënuar dhunën në këtë vend.
Misioni i Këshillit të Sigurimit u takua me kryeministrin Soumeylou Boubeye Maiga për të folur për kërcënimin e rritur nga luftëtarët xhihadistë në Malin qendror.
Nga hetimet mësohet se, viktimat u ekzekutuan me armë zjarri dhe hanxharë, ndërsa banesat e pjesëtarëve të tjerë të fshatit ishin djegur./ Opinion.al. E.Xh.