Tërheqja e serbëve nga institucionet në Veri të Kosovës ka krijuar një situatë shumë serioze prapakthyese, thotë eksperti i Evropës Juglindore, Milan Nic në intervistë për DW.
Deutsche Welle: Gjendja në Kosovë është e tensionuar. Serbët kanë dalë nga institucionet në veri të Kosovës. Çfarë mund të presim?
Milan Nic: Mendoj se shumë gjëra ishin në rrugë të mirë në drejtim të normalizimit ose së paku përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në muajt e fundit. Pra, ishte edhe Procesi i Berlinit që arriti marrëveshjet e para. Pra, punët po shkonin mirë për Kosovën. Dhe në sfond ishte nisma diplomatike e Berlinit dhe Parisit për të arritur një progres të madh ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Dhe në mes të kësaj ishin çështjet e vogla dhe simbolike ndaj të cilave Albin Kurti mbante qëndrim parimor. Në gusht amerikanët e ndihmuan atë me letërnjoftimet. Është mjaft interesante që nga minikriza e asaj kohe rezultoi një marrëveshje e pashkruar që Serbia të njihte letërnjoftimet e Kosovës në fund të vitit. Njohja e letërnjoftimeve ishte më pas pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare të Tregut të Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit, dhe pasi ajo të ratifikohet, do të bëhet e detyrueshme. Pra, gjërat po ecnin në drejtimin e duhur, për integrimin real të Kosovës në rajon, pa u bojkotuar nga Serbia.
Tani mendoj se Vuçiçi do ta shfrytëzojë çdo çështje që i mundëson atij të blejë kohë, për të evituar një marrëveshje të përgjithshme me Kosovën. Pra, tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, nuk ka të bëjë me këto ditë. Vuçiçi ka vendosur tani që çdo çështje të vogël ta kthejë në të madhe. Pra, kjo nuk është një krizë që do të kapërcehet brenda një dite. Mendoj se çtensionimi do të kërkojë kohë dhe kapacitete diplomatike, të cilat kanë qenë të rezervuara për të arritur një kompromis të madh.
Kancelari gjerman Olaf Scholz foli në konferencën e shtypit në përfundim të Samitit të Berlinit për “durim dhe shumë përpjekje” për të arritur një kompromis. Ishte kjo arsyeja?
Po. Por shikoni, Brukseli dhe Uashingtoni i kërkuan Kurtit ta shtynte zbatimin e vendimit për targat, sepse momenti ishte i papërshtatshëm. Dhe çfarë bëri Prishtina? I shtyu për në prill konfiskimet, por tani po shpërndan qortimet, e më vonë do të fillojë me gjobat. Pra, nga ana ligjore, procesi quhet i filluar, dhe kësisoj ai i ofroi Beogradit një shkak për t’u thënë serbëve të tërhiqen nga institucionet. Mendoj se Prishtina nuk e ka menduar mirë kur e bëri, sepse çdo krizë sado e vogël që të jetë, nuk është në interes të saj. Beogradi këtë po e shfrytëzon: Nuk them që kriza është artificiale, por ai po e shfrytëzon tani për të vënë gjithçka në pikëpyetje dhe për të thënë se serbët në Kosovë – do të kthehen në institucionet e saj, vetëm nëse marrin garanci për Asociacionin. Pra, për një gjë simbolike, situata ka ndryshuar brenda ditësh.
Për rajonin flitet shpesh se shumë elemente destabilizuese vijnë nga Rusia. Mendoni që Rusia të ketë ndonjë ndikim në këtë krizë?
Rusia nuk qëndron pas kësaj lëvizjeje. Pas kësaj lëvizjeje është vetëm Beogradi. Kjo ka të bëjë me pozicionimin për çështje më të mëdha sesa thjesht targat e makinave. Nuk them se kriza është artificiale, sepse targat janë të rëndësishme, sepse kanë të bëjnë me jetën e përditshme. Kështu që thjesht nuk e kuptoj, pse Kurti mendonte se, nëse fillonte procesin, qoftë edhe shkallë – shkallë, serbët nuk do të bënin një hap të tillë, duke kaluar në krizën e plotë. Nuk është problemi te tensionet, por serbët tani me këtë hap po e shfuqizojnë vetë Marrëveshjen e Brukselit, të vitit 2013. Tani ata do të thonë, ne duam të diskutojmë për gjithçka. Pra, në vend që të diskutohet për të ecur përpara, tani diskutimi do të bëhet se si të kthehemi në pikën zero.
Kjo sepse Kurti dhe Vetëvendosja nuk dëshirojnë ta pranojë këtë pjesë të Marrëveshjeve të Brukselit që ka nënshkruar qeveria e Kosovës para tyre. Plani është që të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si autonomi. Negociimi i bërë asokohe në vitin 2013 ishte që në këmbim të njohjes së institucioneve dhe juridiksionit të shtetit të Kosovës në territorin e Kosovës, serbët e Kosovës të kenë autonominë. Tani Kurti nuk dëshiron ta bëjë këtë.
Argumenti i Kurtit ka qenë sepse nuk dëshirojnë të krijojnë një Republika Srpska të dytë në Kosovë
Ky është interpretim predominues në Kosovë. Asociacioni u përkufizua në mënyrë shumë të mjegullt. Problemi më i madh i dialogut ka qenë se si të përkufizohet Asociacioni, që ishte thelbi i marrëveshjes së Serbisë. Por Kurti as nuk dëshiron të flasë për atë. Dhe kjo ishte pika e tij e dobët në krahasim me Serbinë. Serbia kishte shumë më tepër pika të dobëta dhe ishte vënë me shpatulla pas muri nga BE.
Por e thënë shkurt: tërheqja e serbëve të Kosovës në veri nga të gjitha institucionet e Kosovës është një situatë e re. Dhe është shumë serioze, sepse unë nuk i shoh ata të kthehen javën e ardhshme apo se është e thjeshtë të bësh thirrje që ata të kthehen. Kështu që tani kemi një krizë të rëndë politike brenda Kosovës, si pasojë e së cilës kemi humbur disa javë apo muaj. Dhe kjo do të prishë plotësisht iniciativën franko-gjermane për një marrëveshje të plotë normalizimi.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se nuk e ka kundërshtuar planin franko-gjerman. Por ai as nuk ka thënë se e mbështet atë plotësisht, siç bëri për shembull Rama dhe von der Leyen. A mendoni se Kurti e dëshiron planin franko-gjerman?
Unë vetëm një gjë mund të them: Më kujtohet, para tre vjetësh kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj, kur bëhej fjala për taksat. Dhe Perëndimi e kishte shumë të vështirë të ndryshonte qëndrimin e tyre. Ishte edhe samiti i organizuar në vitin 2019 në Berlin, ku Macron dhe Merkel thanë, se nëse ne i ftojmë të gjithë këta liderë, harxhojmë kohën dhe kapacitetet tona për të lëvizur përpara, dhe ata sërish nuk janë konstruktivë, atëherë ne do të heqim dorë. Tani është hapur një dritare për të gjithë rajonin, por veçanërisht për Kosovën, për t’u bërë pjesë e tij në nivel të barabartë me Serbinë përmes Procesit të Berlinit, përmes BE-së. Ata do ta lënë të mbyllur këtë dritare.
Pra, ju mendoni se ky është një shans i fundit për rajonin?
Jo i fundit. Por mendoj se nuk është situatë e mirë për Kosovën. Kosova ka nevojë për çdo marrëveshje diplomatike, që avancon, shkon përpara. Ndërsa Serbia dëshiron të fitojë kohë dhe sipas kësaj formule, Kurti po i ofron asaj krizën e re në “një tabaka të argjendtë”.
Milan NIc është ekspert i Evropës Juglindore në Këshillin Gjerman për Politikë të Jashtme me qendër në Berlin./DW