Tensionet në veri të Kosovës nuk janë kapërcyer në mënyrën që mund të sigurojë stabilitet, por përkundrazi ato hapin rrugë drejt paqëndrueshmërisë së vazhdueshme, thotë për Radion Evropa e Lirë Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington dhe ish-zëvendës i shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Mund të presim qetësi për një kohë, derisa Aleksandar Vuçiq të vendosë se i duhet sërish një krizë në Kosovë. Mbi të gjitha, ai dëshiron të ruajë levën që ka mbi Kosovën, sepse kjo e ruan pushtetin e tij”, thotë Joseph, duke shtuar se përderisa një gjë e tillë nuk do të kuptohet, nuk do të ketë përparim as për Kosovën, as për vetë Serbinë dhe demokracinë e saj, si dhe për mbarë rajonin.
“Ato barrikada, që fatmirësisht janë hequr, janë vetëm metaforë, sepse mes Serbisë dhe Kosovës ekzistojnë ‘barrikada gjigante’. Ka edhe ‘barrikada’ në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian (BE). Njëkohësisht, këto ‘barrikada’ shërbejnë si ‘urë’ ndërmjet Serbisë dhe Rusisë”, thekson Joseph.
Ai konsideron se ka mënyra për t’i hequr ato barrikada, por se SHBA-ja dhe BE-ja nuk duan t’i shqyrtojnë ato opsione dhe se i janë nënshtruar manipulimit nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas 19 ditësh bllokimi të rrugëve, grupet e serbëve nga veriu i Kosovës i hoqën barrikadat, të cilat ishin ngritur pas arrestimit të njërit prej ish-policëve serb të Kosovës, Dejan Pantiç.
Kërkesat e serbëve u plotësuan, duke përfshirë lirimin e Pantiqit, si i dyshuar për pjesëmarrje në sulmin ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, të cilit masa e paraburgimit iu ndryshua në arrest shtëpiak.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të pritet në ditët dhe muajt në vijim?
Edward P. Joseph: Këto barrikada po hiqen në mënyrë të tillë që shumë lehtë të mund të vendosen përsëri. Pra, kjo nuk është një zgjidhje e mirë. Kjo është një tjetër dëshmi se si Aleksandar Vuçiq manipulon SHBA-në dhe BE-në duke përdorur levën e fuqisë së ndikimit që Serbia ka mbi Kosovën.
Vuçiq pretendon se ka arritur fitore me lirimin e policit Dejan Pantiq dhe se ka siguruar marrjen e premtimin se KFOR-i nuk do të lejojë Policinë e Kosovës të hyjë në veri. Pse është problematike kjo? Sigurisht që është mirë që janë hequr barrikadat, por nuk është mirë që taktika e tillë është shpërblyer.
Pra, nëse vendosni barrikada, mund të nxirrni përfitime. Ndërkaq, ne të gjithë e dimë se cila është aktualisht çështja kryesore në veri të Kosovës, dhe këtë e dinë edhe serbët e atjeshëm, përfshirë disa prej tyre që i takova në shtator në Prishtinë.
Çështja kryesore është sundimi i ligjit në atë zonë. Pra, ky është problem edhe për serbët në veri të Kosovës, e jo vetëm për institucionet në Prishtinë, të cilat përpiqen të zgjerojnë kontrollin e tyre në atë rajon. Më saktësisht, lind pyetja se detyrë e kujt është zbatimi i ligjit.
Ky do të vazhdojë të jetë problem për serbët në veri të Kosovës dhe ata do të përdoren si peng nga Beogradi derisa të zgjidhet çështja e sovranitetit të Kosovës.
Si përfundim, këto tensione nuk janë kapërcyer në mënyrë të tillë që të garantojnë stabilitet, por ftojnë paqëndrueshmëri të vazhdueshme.
Barrikadat nuk janë formë paqësore e protestës
Radio Evropa e Lirë: Barrikadat u hoqën pasi autoritetet e Kosovës liruan nga burgu policin Dejan Pantiq. Me sa duket, SHBA-ja dhe BE-ja kanë ushtruar presion të fuqishëm ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për lirimin e Pantiqit. A kishin frikë Uashingtoni dhe Brukseli nga përshkallëzimi i mëtejshëm, duke pasur parasysh se autoritetet në Serbi e ngritën gatishmërinë luftarake të ushtrisë?
Edward P. Joseph: Nuk e di nëse SHBA-ja dhe BE-ja kishin frikë se forcat serbe do të hynin në Kosovë. Megjithatë, ishte më se e qartë se situata në veri të Kosovës ishte e trazuar.
Por, kjo nuk është për herë të parë. Një dekadë më parë kam qenë zëvendës-shef i misionit të OSBE-së në Kosovë, kur situata ishte edhe më e rëndë në disa aspekte, sepse një pjesëtar i policisë speciale u vra në vitin 2011 në veri, pastaj u plagos një pjesëtar i KFOR-it (më 2009). Prandaj, nuk bëhet fjalë për një krizë të re, por për të njëjtën që po përsëritet.
Pse nuk pati asnjë reagim të duhur? Për shkak se i nënshtrohen manipulimit. Barrikadat nuk u ngritën vetëm me kërkesën për lirimin e Pantiqit. Në deklaratën e SHBA-së dhe BE-së sugjerohet se barrikadat janë formë legjitime e protestës paqësore.
Kjo nuk është e saktë, sepse barrikadat janë të paligjshme për shkak të llojeve të ndryshme të obstruksioneve, gjegjësisht pengesave dhe nuk kanë për qëllim vetëm të shprehin protestën.
Gjithashtu, një zyrtar perëndimor tha se Serbia ka të drejtë të kërkojë që një pjesë e forcave të saj të armatosura të kthehen në Kosovë. Ky është një gabim, pavarësisht se a e ka Serbia formalisht një të drejtë të tillë. E pakuptimtë është edhe të shqyrtohet kjo kur aty është KFOR-i, i cili disponon monopolin mbi përdorimin e forcës së armatosur.
Madje, edhe sugjerimi se serbët zyrtarisht e kanë atë të drejtë, minon autoritetin e KFOR-it.
Gabimin e tretë NATO e bëri duke deklaruar se Serbia ka të drejtë të për manovra dhe të lëvizjes së forcave ushtarake në territorin e saj. Serbia e ka këtë të drejtë, por nuk duhet të afirmohet, sepse është shumë provokuese.
Ushtria e Serbisë nuk ka kryer manovra, por ka vepruar në mënyrë provokuese duke vendosur një pjesë të njësive të saj në afërsi të kufirit, për të ushtruar presion ndaj Kosovës, e cila mbrohet nga KFOR-i.
Kjo do të ishte njësoj sikur të thuash se Rusia ka të drejtë të manovrojë në Detin e Zi në një distancë të caktuar nga bregu i Ukrainës. Ndoshta kjo është e vërtetë, por nuk është mirë të theksohet se lëvizje të tilla janë legjitime, sepse ato janë provokuese.
Vuçiçi fut standarde të reja duke rritur presionin
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar vazhdimisht heqjen e barrikadave. Kjo nuk është hera e parë që ngrihet gatishmëria luftarake e Ushtrisë së Serbisë. Mirëpo, çështja është nëse Vuçiq do të guxonte të urdhëronte forcat e armatosura të hynin në Kosovë dhe në këtë mënyrë të rrezikonte një konflikt me KFOR-in, pra NATO-n? Apo ky ishte, thjesht,`1 manovrim dhe blof?
Edward P. Joseph: Do të ishte shumë e thjeshtë të thuash se gjithçka ka të bëjë me blofin. Nuk besoj se Vuçiq do të urdhëronte Ushtrinë e Serbe të hynte në Kosovë. Megjithatë, ai futi standarde të reja duke rritur presionin, duke rritur gatishmërinë luftarake të forcave të armatosura.
Ai, gjithashtu, krijoi kushtet me të cilat mund të hyjnë forcat e armatosura serbe në Kosovë për shkak të reagimit që sugjeron se një sjellje e tillë tolerohet dhe se Beogradi ka të drejtë ta bëjë këtë.
Po e përsëris, KFOR-i është përgjegjës për sigurinë, jo forcat serbe, dhe ato nuk janë të nevojshme në Kosovë.
Më lejoni t’ju kujtoj se baza më e madhe ushtarake e Serbisë ndodhet në Luginën e Preshevës, afër kufirit me Kosovën dhe se Beogradi zyrtar vazhdimisht siguron armë.
Radio Evropa e Lirë: A kishin frikë KFOR-i dhe NATO-ja nga hyrja e ushtrisë serbe në Kosovë?
Edward P. Joseph: Nuk e di nëse kanë pasur frikë, por mund të them se qëndrimi i tyre ishte i gabuar, sepse nuk do t’i kontribuojë stabilitetit dhe do të lejojë që barrikadat të vendosen përsëri shumë lehtë.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndikoi në një qëndrim të tillë të komunitetit ndërkombëtar? Vetë barrikadat, apo rritja e gatishmërisë luftarake të njësive të Ushtrisë së Serbisë afër Kosovës, apo të dyja bashkë?
Edward P. Joseph: Siç duket ata ishin të shqetësuar për situatën e paqëndrueshme, gjë që është e kuptueshme. Nga përvoja e di se është e lehtë të shkaktosh kaos në Ballkan. Nëse vetëm një person vritet, kjo rrit në mënyrë dramatike temperaturën dhe përshpejton zhvillimin e padëshirueshëm të ngjarjeve.
Kur bëhet fjalë për qëndrimin e SHBA-së dhe BE-së, shikoni reagimin e tyre të vakët ndaj qëndrimit të Serbisë ndaj pushtimit rus të Ukrainës.
Dobësia e Perëndimit ndaj Vuçiqit edhe para luftës në Ukrainë
Radio Evropa e Lirë: A kanë frikë SHBA-ja dhe BE-ja nga hapja e një pike tjetër krize, duke pasur parasysh se lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore po zhvillohet në Ukrainë?
Edward P. Joseph: Jo, kjo nuk mund të shpjegohet me këtë, sepse Perëndimi e trajtoi Ballkanin Perëndimor në të njëjtën mënyrë para luftës në Ukrainë. Ai tregoi dobësi ndaj Vuçiqit dhe regjimit në krye të së cilit është ai.
Ambasadori i mëparshëm amerikan në Beograd deklaroi, në kohën kur Vuçiq u takua me Putinin dhe presidentin kinez Xi Jinping, se Serbia është lider politik dhe ekonomik në rajon.
Radio Evropa e Lirë: Pse është kështu?
Edward P. Joseph: Përgjigja është shumë e thjeshtë dhe është elaboruar në raportin tim në bashkëpunim me Johns Hopkins SAIS dhe Wilson Center (Nga kriza në konvergjencë) në janar të këtij viti.
Gjithçka nga ai dokument u vërtetua si e saktë pas pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt 2022. Arsyeja për këtë është leva që Serbia ka mbi Kosovën. Bëhet fjalë për levën artificiale e me këtë edhe për krizën e fundit në veri të Kosovës që u shkaktua artificialisht.
Në përgjithësi, bëhet fjalë për një krizë artificiale afatgjatë, për të cilën ka zgjidhje të qarta që qytetarët e Serbisë dhe Kosovës mund t’i pranojnë, ashtu siç kanë pranuar vendime të dhimbshme edhe kombet e tjera që kishin mosmarrëveshje të ndërsjella.
E vetmja gjë që ndryshoi pas 24 shkurtit ishte rritja e aksioneve. Kjo do të thotë se çmimi i lejimit të këtij manipulimi nga Aleksandar Vuçiq po rritet dhe nuk kufizohet vetëm në Ballkan, sepse Putini po vë në pikëpyetje të gjithë rendin evropian, ndërkaq Serbia po e promovon atë sfidë. Përveç Sputnik-ut, së fundmi i ka dhënë leje për punë edhe Rusia Today ( Rusia Sot).
Vuçiç poshtëroi SHBA-në në tokën e saj me marrëveshjen me Rusinë
Gjithashtu, në shtator, Vuçiçi orkestroi nënshkrimin e marrëveshjes për harmonizimin e politikës së jashtme me Rusinë, në Nju Jork, gjatë seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Pra, para gjithë botës – menjëherë pas takimit me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Presidentit të SHBA-së, Jake Sullivan, ndërkaq më pas edhe me nënsekretaren amerikane të shtetit Victoria Nuland.
Pastaj, ai poshtëroi administratën e Bidenit në territorin e saj para gjithë botës, sepse Serbia, si vend evropian dhe kandidat për në BE, nënshkroi një marrëveshje me shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, i cili përndryshe është nën sanksionet amerikane.
Deklarata e papërgjegjshme e Kurtit për heqjen e barrikadave
Radio Evropa e Lirë: Kur bëhet fjalë për situatën në terren, kryeministri i Kosovës Albin Kurti paralajmëroi se nëse KFOR-i nuk i heq barrikadat deri në një kohë të caktuar, policia e Kosovës do ta bëjë vetë. Kjo gjithashtu u përjetua si ashpërsim i situatës. A mendoni se Kurti do të kishte vendosur për atë lëvizje në qoftë se ndërkohë nuk do të ishte arritur një marrëveshje për heqjen e barrikadave?
Edward P. Joseph: Kërcënimi për përdorim të njëanshëm të forcës nga Prishtina është i papërgjegjshëm, madje edhe nëse ka të drejtë formale ta bëjë këtë, sepse policia e Kosovës nuk ka kapacitet për një ndërmarrje të tillë. Kjo do të nxiste dhunën. Siç thashë, KFOR-i është kompetent të reagojë në situata të tilla.
Pra, deklarata e Kurtit ishte e papërgjegjshme, sepse institucionet kompetente të Kosovës varen nga KFOR-i edhe formalisht. Kjo do të thotë se ato mund të ndërmarrin veprime të tilla vetëm në koordinim me forcat ndërkombëtare.
Kjo krizë e fundit në fakt filloi në shtator të vitit 2021 për çështjen e zëvendësimit të dokumenteve personale dhe targave me shenja serbe me ato të Kosovës. Ambasadori Jeffrey M. Hovenier ka përsëritur disa herë se Prishtina ka të drejtë ta bëjë këtë.
Marrëveshja për ndërrimin e dokumenteve personale u arrit relativisht lehtë në gusht. Pas tensioneve që pasuan për shkak të synimit të autoriteteve të Kosovës për të vendosur gjoba ndaj shoferëve që nuk i ndërrojnë targat serbe me ato të Kosovës, Kurti lëshoi pe dhe më 23 nëntor u arrit marrëveshja në Bruksel.
Në këmbim, atij iu premtua se do të vazhdojnë negociatat për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e kam fjalën për nismën franko-gjermane. Pra, çfarëdo që të mendojnë në Beograd për Kurtin, ai pranoi kërkesën e SHBA-së dhe BE-së dhe e shtyu afatin.
Kur është fjala për arrestimin e Dejan Pantiqit, lind pyetja nëse ka pasur arsye të vlefshme për këtë. Askush në Beograd nuk e bëri këtë pyetje, por ata reaguan në mënyrë melodramatike duke dërguar trupa në kufi.
Mirëpo, një sjellje e tillë kënaqet, është problem dhe nuk u bën dobi serbëve. Të gjithë në Serbi kanë reaguar për shkak të suspendimit të Nenad Gjuriqit (ish-drejtor rajonal i policisë në Mitrovicën e Veriut) dhe arrestimit të Dejan Pantiqit.
Në të njëjtën kohë, në Prishtinë ka vazhduar hetimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Së fundmi serbja e njohur e Kosovës, Rada Trajkoviq është ankuar për kërcënime.
Beogradi duhet të bashkëpunojë realisht në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, por nuk po e bën këtë. E gjithë kjo tregon se e tërë kjo situatë është e fabrikuar.
Qetësi për pak kohë
Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të pritet në periudhën e ardhshme, duke pasur parasysh çështjen e pazgjidhur të targave të automjeteve dhe çështjet e tjera teknike, pa përmendur ato thelbësore, si formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe normalizimi i përgjithshëm i marrëdhënieve?
Edward P. Joseph: Mund të presim një qetësi të caktuar për një kohë, derisa Aleksandar Vuçiq të vendosë se i duhet sërish një krizë në Kosovë.
Para së gjithash, ai dëshiron të ruajë levën që ka mbi Kosovën, sepse kjo ruan pushtetin e tij. Derisa kjo të kuptohet, nuk do të ketë përparim për Kosovën, vetë Serbinë dhe demokracinë e saj, si dhe mbarë rajonin.
Duke shkaktuar krizën e fundit, Vuçiq e vështirësoi fokusimin në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare të kontestit rreth Kosovës.
Sulmet e Vulin ndaj ambasadorit amerikan
Radio Evropa e Lirë: Do të thotë, kjo bëhet për të shmangur bisedimet serioze për nismën franko-gjermane?
Edward P. Joseph: Ky është një nga motivet e tij. Përndryshe, besoj se me propozimin e përmendur nuk mund të arrihen qëllimet e dëshiruara, sepse nuk ka këmbëngulje për zgjidhjen përfundimtare, e cila është e nevojshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.
SHBA-ja duhet të shqetësohet për manipulimet e Vuçiqit dhe marrëdhëniet e tij me Rusinë.
Në maj, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori amerikan në Beograd i bëri thirrje Serbisë që të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Vuçiq ka reaguar duke i dhënë dritën jeshile – sepse e dimë se po i tërheq të gjitha fijet – ministrit të Brendshëm të atëhershëm, Aleksandar Vulin, për të sulmuar (ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher) Hillin.
Menjëherë pas kësaj, në Moskë, pas një takimi me kreun e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov dhe me kryetarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Nikolai Patrushev, ai dënoi sanksionet evropiane.
Pushtimi rus e afroi Serbinë me Moskën
Radio Evropa e Lirë: Se a po largohet Serbia nga BE-ja me këto lëvizje, është temë për një intervistë më vete…
Edward P. Joseph: Është për këtë intervistë. Ironia është se pushtimi rus i Ukrainës e afroi Serbinë me Moskën. Në të njëjtën kohë, SHBA-ja dhe BE-ja pretendojnë se bashkimi i Serbisë për të dënuar agresionin rus në Kombet e Bashkuara është një lloj shenje se ajo është “në anën e duhur të historisë”, siç deklaroi Karen Donfried, Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit.
Megjithatë, kjo nuk është e vërtetë. Si Vuçiq ashtu edhe kryeministrja Ana Bërnabiq e pranuan se votuan kështu vetëm për shkak të Kosovës.
Pra, siç thashë, mund të presim një qetësi për një kohë, por pa përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, pastaj të situatës në Bosnje e Hercegovinë, në Mal të Zi, si dhe në vetë Serbinë, kur bëhet fjalë për proceset demokratike.
Radio Evropa e Lirë:Tashmë ju kam pyetur, a prisni që SHBA-ja dhe BE-ja të ndryshojnë rrënjësisht qasjen e tyre ndaj Ballkanit?
Edward P. Joseph: Jo, por ata munden dhe duhet ta bëjnë këtë. Ndoshta SHBA-ja dhe BE-ja nuk janë shumë të shqetësuara për pasojat e konflikteve të mundshme në Ballkan, por duhet të shqetësohen për luftën në Ukrainë, në këtë kuptim, edhe përfitimet që ka nga çrregullimi i vazhdueshëm në Ballkan Vladimir Putini dhe nga aleanca e tij me Serbinë e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq.
Pra, ata duhet të ndryshojnë strategjinë e tyre, por unë nuk shoh ndonjë tregues për këtë. Por gjithmonë ekziston shpresa.