Opinion.al ka zbardhur dje një nga kandidaturat që do të përfaqësojë Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut. Bëhet fjalë për Xhezair Zaganjorin, i cili mban aktualisht postin e kryetarit të gjykatës së lartë. Ai ishte dhe një nga kandidaturat për postin e Presidentit që u dorëhoq për arsye ende te paqarta për publikun. Burime të opinion.al pranë qeverisë bëjnë të ditur se 2 emrat e tjerë (pasi Shqipëria duhet të paraqesë në Strasburg 3 kandidatura) janë ato të Ina Ramës dhe Elira Kokonës. Ndërsa e para është emër i njohur për publikun si ish- kryeprokurore, emri i dytë është po ashtu i afërt me mazhorancën. Zonja Kokona mban aktualisht postin e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Kulturës. Megjithatë emri i Zaganjorit, sipas burimeve të opinion.al është më i preferuari për stafin e afërt të kryeministrit. Vetëm një ditë më parë shtypi arriti të mësonte diçka për këtë proces, i mbajtur larg vëmendjes mediatike edhe pse afati për prezantimin e kandidaturave është data 20 gusht.