Tani që gjithçka ka përfunduar na lejohet të rrëfejmë edhe disa të pathëna nga paskuintat e një mbrëmje e cila ashtu si i takonte mori gjithë vëmendjen e medias edhe pse çifti princëror u mundua të zhvillonte një ceremoni martesore larg bujës së zakonshme që marrin të tilla evente. Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga celebrimi në kurorë i Princit Leka II Zogu me Princeshë Elian ka ende detaje intriguese që do të mbajnë të pashuar këtë event të rrallë për një vend të vogël si Shqipëria. Ku padyshim një nga kureshtitë që mban të lidhur lexuesit me këtë ngjarje është ushqimi që u servir për të ftuarit Vip të kësaj mbrëmje, ku një pjesë e rëndësishme i përkisnin elitës së monarkive më prestigjoze në botë. Për të folur mbi këtë pjesë, gazetari Dritan Laci zhvilloi një bisedë me shefin e “Mrizit të Zanave”, Altin Prenga. Shefi fatlum që u përzgjodh nga një delegacion degustues nga familja mbretërore suedeze për të qenë ai dhe stafi i tij ata që do të gatuanin për 300 të ftuarit e mbrëmjes. Po si u përzgjodh “Mrizi i Zanave” për këtë ceremoni? Si u kontaktua fillimisht nga Sadije Berisha, ish-bashkëshortja e Shkëlzen Berishës? Cila ishin kërkesat dhe pritshmëritë e çiftit princëror? Seti i përfolur i lugëve të florinjta dhe cilat ishin kërkesat e veçanta të të ftuarve për ushqimin? Të gjitha këto i lexoni në intervistën e mëposhtme me Altin Prengan, shefin e restorantit “Mrizi i Zanave” në Fishtë të Lezhës…
Intervistoi Dritan LACI
Altin, “Mrizi i Zanave” ishte restoranti i përzgjedhur nga Princi Leka dhe Princeshë Elia, për të shërbyer ushqimin në darkën kryesore të celebrimit të çiftit. Cilat kanë qenë kontaktet e para më Princin? Dhe pse u përzgjodh “Mrizi i Zanave” për të qenë restoranti privilegjuar që do të shërbente në këtë mbrëmje?
Ne jemi kontaktuar që në muajin maj dhe biseda e parë që kemi zhvilluar ka qenë se Princi dhe Princesha po shikonin kush mund të shërbente në dasmën e tyre. Në fillim jam kontaktuar nga Sadije Berisha, e cila ka qenë referente dhe organizatore.
Fillimisht ata më kanë bërë të ditur që janë në bisedime edhe me disa shefa dhe restorante të tjerë dhe në përfundim do të zgjedhin më të mirin sipas kërkesave që ata kishin.
Më thanë që duheshin pesë pjata dhe një ëmbëlsirë, Kanë ardhur katër herë. Hera e parë dhe ndoshta vendimtarja ishte ajo e çiftit, Sadijes dhe përfaqësuesve të oborrit mbretëror të Suedisë, Pas rreth një muaji ata e bënë të sigurtë që do isha unë ai që do të shërbente në këtë mbrëmje. Kisha dëshirë që të mos më mungonin elementët e thjeshtë dhe të varfër të kuzhinës shqiotare; Turshija, djathi i dhisë, lakra, gështenja, flija, byreku…
Çfarë pjatash u servire fillimisht dhe a ishte i pranishëm edhe Princi Leka dhe Princeshë Elia gjatë degustimit…
Po. Princi dhe Princesha kanë qenë të pranishëm në të gjitha degustimet. Pas herës së parë, herët e tjera kanë qenë perfeksionimi në detaje sipas disa rregullave..
Pjata e parë ishte Buka në strajcë… që përmbante; Djathë dhie, vezë shkurteze, turshi, domate e thatë. E mbështjellë me një fletë shumë të hollë kungulli. Dhe e shoqëruar me gjalp fshati dhe lule trumze dhe gjalp ulliri.
Pjata e dytë që servira ishte Petka me lakrat e veja. Që në përbërje ka; Lakra të zeza, lakra të bardha dhe lakra të egra, të ziera pa mish por vetëm me kocka, dhe thërrime gështenje me cipsa lakrash.
Pjata e tretë ishte Tavë Elbasani me safran Elbasani dhe perime vjeshtuke
Pjata e katërt ishte Sorbeto me shegë të egër të fermentuar.
Pjata e pestë ishte Pulehiri e mbushur me kërpudha shpenkuqe të Pukës dhe dromesat Arbëreshe “Recete 500 vjeçare” ose siç quhet ndryshe Predessert.
Ndërsa Pjata e Gjashtë ishte Fli e mbushur me Mishavine Kelmendi dhe byreku me Arra i traditës së Mirditës
Pastaj ne shërbyem edhe frutat e egra të vjeshtës të bahçes…Hide, Shegë, mollvosa, mollevizhna, kulumria
Cila ishte pritshmëria e Princit dhe e degustuesve suedezë dhe çfarë vlerësuan ata në përzgjedhjen e bërë nga kuzhina juaj?
Me çfarë kam kuptuar miqtë kanë mbetur të kënaqur që në fillim. Të huajt kanë mbetur të kënaqur sepse kanë degustuar aroma dhe shije autentike të harruara në vendet e tyre dhe shqipëtarëve po ashtu që kuptonin pak a shumë idenë e menusë sime, u ka pëlqyer idea e kuzhinës shqiptare të rishikuar…
Si ju erdhi përgjigja që ishit përzgjedhur për të qenë pjesë e kësaj mbremje? Kush ua komunikoi lajmin?
Takimi i fundit ishte te “Mullixhiu” në Tiranë në muajin gusht. Ne ishim në kulmin e punës sezonale. Pastaj jemi takuar për perfeksionime më 10 shtator. Në gusht kur më thanë që kishin vendosur që eventin më të rëndësishëm të jetës së tyre ma kishin besuar mua dhe stafit tim, më janë shtuar rrahjet e zemrës nga emocioni. Ishte diçka që më jepte krenari. Lajmin ma komunikuan të dy, por Princeshë Elia ishte e para. “Altin ne kemi vendosur që do jesh ti që do gatuajë në dasmën tonë për darkën kryesore”. Ata kishin për zemër që mysafirët e huaj të degustonin dhe të zbulonin Shqipërinë nga ana gastronomike…
Ç’kuptonin me perfeksionim të menusë?
Me perfeksionim kuptonin që duhej përshtatur sipas protokollit. Asgjë konsistencë të fortë. Jo gjëra që përmbajnë bërthamë në tryezë…
Vijnë te nata finale. Ka qenë një superorganizim. Dhe mbi të gjitha një kënaqësi edhe për ju. Më trego pak për detajet e organizimit?
Po. Duhet gjakftohtësi nga që përgjegjësia është shumë e madhe. Ne si staf ishim 65 vetë. Veshjet e kamarierëve i kemi bërë me porosi nga një artizane apostafat për eventin. Ishte një sfidë më vete nga që në Pallatin e Brigadave kuzhina është e vjetër…Duke qenë se është monument kulture restaturimi nuk është i thjeshtë…
Xhaketat e kamarierëve duheshin me një të bardhë pana dhe shumë elegante, pa ekzagjerime. Por as në Shqipëri dhe as në Greqi, nuk i kemi gjetur siç i kishin dëshirë. Dhe u detyruam t’ja linim në dorë sipas një modeli të caktuar xhakete një artizaneje.
Uniformat duhet te ishin minimaliste. Xhaketë e bardhë, doreza të bardha, Papillion i zi, pantallona të zeza, këmishë e bardhë…
Për stafin ka qenë sfidë e madhe po për fat janë profesionistë të vërtetë.
Kemi kaluar dy netë pothuajse pa gjumë por pasioni dhe krenaria që kishin që po bënin një eveniment shumë të rëndësishëm i bëri të palodhur…
Sa orë ju desh të punonit për të finalizuar këtë mbrëmje? Një nga detajet më të përfolura në këtë mbrëmje ishte edhe seti i florinjtë i lugëve por edhe i gotave mbretërore…
Kemi filluar me disa elementë që të premten në orën 2.00 të natës, pastaj zgjimi në orën 6.30 të mëngjesit dhe nisja për në Tiranë. Gjithë dita e shtunë deri në orët e vona.
Setet e floririt janë sjellë një pjesë e madhe nga Franca nga disa miq të rëndësishëm të Princit.
Për gotat e shampanjës që janë që në kohën e Mbretit janë dashur tratativa nga që janë të mbrojtura nga trashëgimia kulturore. Ishin mbi 300 gota shumë elegante me stemën e mbretërisë. Dhe po them një edhe një prapaskenë: “Një kamarieri tonë i shpëtoi një nga dora, por nuk e thye”. Megjithëse ishin shumë të lehta dhe elegante sërish nuk u thye…
Mendoj që kristali i artizanëve të kohës, ka një cilësi që nuk arrihet sot..
Vera që u servir në mbrëmje…
Vera ka qenë e kantinës “Bardha”. E bardhë dhe e kuqe
Kishte ndonjë kërkesë të veçantë nga të ftuarit e huaj për ushqimin?
Kishte vegjetarianë dhe alergjikë. Për këtë arsye ne krijuam një menu të ngjashme pa elementët që nuk kishin dëshirë. Vetëm se më është bërë e ditur që të kem kujdes me sigurinë dhe freskinë e ushqimeve….
Altin cili është impresioni yt nga kjo dasëm. Dhe cilat ishin fjalët e çiftit dhe të të ftuarëve për ushqimin?
Mendoj që ka qenë një rast shumë i mirë për promovimin e Shqipërisë. Diçka që nuk do ta harroj kurrë për mua personalisht. Lidhur me ushqimin, me çfarë kam kuptuar miqtë e kanë pëlqyer. Uroj që të mos ma kenë thënë vetëm për xhentilesë. Në këtë event nuk ke ku ti marrësh opinionet. E kupton nga kthimi i pjatave bosh, Çifti ishte tejet i ngarkuar. Më kanë marrë vetëm për të më falenderuar. Dhe më thanë që gjithçka ishte perfekte…